Në vazhdim të aksionit, arrestohet një tjetër person për degradim mjedisor në Prizren
Në kuadër të hetimeve të vazhdueshme për ndotjen dhe degradimin e mjedisit në rajonin e Prizrenit, është arrestuar edhe një person i dyshuar, duke e çuar në 19 numrin total të të arrestuarve në aksionin e ndërmarrë më 4 qershor 2025 nga Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Personi në fjalë nuk ishte identifikuar fillimisht gjatë zbatimit të operacionit, por pas analizimit të provave të grumbulluara, ai është lokalizuar dhe vënë në pranga. Në kuadër të këtij veprimi janë sekuestruar edhe mjetet e përdorura për kryerjen e veprës penale – një kamion dhe një eskavator.
“Ndërkohë, pas analizimit të provave dhe mjeteve të kryerjes së veprave penale, i njëjti është identifikuar dhe është arrestuar, si dhe janë sekuestruar mjetet e kryerjes së veprës penale, një kamion dhe një eskavator”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Hetimet kanë nxjerrë në pah se i dyshuari ka vepruar në mënyrë të vazhdueshme nga shkurti deri më 4 qershor të këtij viti në zonën përreth lumit Drini i Bardhë, duke shkaktuar dëme serioze në mjedis përmes eksploatimit të pakontrolluar të rërës dhe zhavorrit.

“Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’ nga neni 338 të KPRK-së. Po ashtu, nga veprimet e lartëcekura është shkatërruar rrjedha e lumit nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit nga punimet e makinerive të rënda, duke lënë gropa të hapura, në vende ku mund të lëvizin një numër i madh i njerëzve, me ç’rast është shkaktuar rrezik i madh për trupin dhe jetën e njerëzve të cilët mund të lëvizin në atë territor. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 të KPRK- së”, thuhet në komunikatë.
Për të dyshuarin është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërkohë që veprimet hetimore janë në vazhdim.