Në Zym zbulohet shtatorja e Bogdanit
Në kuadër të edicionit të 54-t të manifestimit letrar, kulturor e trashëgimor “Takimet e Gjeçovit”, në Zym të Prizrenit, është bërë zbulimi i shtatores së Pjetër Bogdanit, duke rikthyer vëmendjen te figura historike dhe vlera e tij për identitetin kombëtar dhe kulturor, raporton Ekonomia Online.

Hapja e manifestimit u bë nga kryetari i klubit letrar “Shtjefën Gjeçovi”, Ndue Kajtazi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe uroi mirëseardhje. Ai përmendi rreshtat e një poeti nga Gjakova për të nënvizuar rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe vlerën e figurës së Pjetër Bogdanit për komunitetin lokal dhe më gjerë.
Shkrimtari e publicisti Frok Kristaj tregoi arsyen e ngritjes së shtatores së Bogdanit në Zymë, ku tha se ishte amanet i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Imzot Dodë Gjergji, në fjalën e tij, vuri theksin te dimensioni historik dhe kulturor i Bogdanit, duke e përshkruar atë si një figurë që ka shërbyer si “yll drite gjithmonë në histori” dhe që ka dëshmuar dashuri për atdheun, kishën dhe dijen.

Ai theksoi se Bogdani ishte njeriu i parë që përdori gjuhën shqipe jo vetëm për komunikim, por edhe për të zhvilluar një gjuhë të denjë për filozofi dhe teologji evropiane.E kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, lidhur me rëndësinë e rikthimit të shtatores për identitetin kombëtar, theksoi se kujtesa historike është themeli i së ardhmes. Ai argumentoi se një popull që nuk njeh të kaluarën nuk mund të ndërtojë të ardhmen dhe se rikthimi i shtatores së Bogdanit është një mënyrë për të ndërtuar urën mes të kaluarës dhe të ardhmes.
Gjatë ditës së dytë të manifestimit u diskutua edhe tema “Si lindi ideja e ngritjes së shtatores së Pjetër Bogdanit në Zym”, u mbajt ora letrare “Anton Pashku”, u dorëzuan plaketa “Pjetër Bogdani” dhe çmimi “Unaza e Katit”. Në kuadër të programit kulturo-artistik performuan AEK “Katarina Josipi” nga Zymi dhe Ansambli “Pjetër Bogdani” – Krumë.
Ngjarja u organizua nga klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi” me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, duke rikthyer vëmendjen e publikut te trashëgimia letrare, kulturore dhe historike e shqiptarëve.



