Nëna e të riut që u vra në Prizren alivanoset në Gjykatën e Prizrenit
Në cilësinë e dëshmitares, nëna e të ndjerit M.K, Z.K, ka deklaruar se djali i saj, kishte një mosmarrëveshje me të akuzuarit ani pse nuk e dinte saktë se me cilin prej tyre, ndërsa shtoi se tre herë kanë shkuar tek familja e tyre për të kërkuar falje, por familja e të akuzuarit nuk e kanë pranuar kërkimfaljen.
Këtë deklarim, dëshmitarja Z.K e ka bërë të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen për vrasje të rëndë të M.K, në maj të vitit të kaluar.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Genc Nixha, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fjalën e tij hyrëse, prokurori Nixha deklaroi se kemi të bëjmë me një akuzë për vrasje të rëndë nga hakmarrja, pas që është vërtetuar se i ndjeri M. ka pasur një mosmarrëveshje me të akuzuarit e që fillimisht kishin tentuar që të pajtohen, mirëpo për arsye të ndryshme nuk kishte ndodhur.
Sipas tij, ngjarja faktike është vërtetuar edhe nga deklaratat e të akuzuarve që kishin pranuar se ishin në konflikt me të ndjerin, andaj tha që pas administrimit të provave do të vërtetohet gjendja faktike e përshkruar si në dispozitiv.
Fjalën hyrëse të prokurorit e mbështeti përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Sylë Hoxha, i cili tha se kjo tragjedi ka ndodhur për shkak të hakmarrjes.
Avokati Hoxha propozoi që pas administrimit të provave, të akuzuarit të shpallen fajtorë.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Orhan Ademaj, avokati Blerim Mazreku, në fjalën hyrëse deklaroi se nga provat që do të administrohen në këtë proces do të vërehet se gjendja e përshkruar në aktakuzë nuk përputhet fare me gjendjen reale të rastit.
Hoxha shtoi se nuk ka fare bashkëkryerje e as nuk ka pasur hakmarrje, pasi që prokurori nuk ka sqaruar se për çfarë mosmarrëveshje bëhet fjale.
Tutje, avokati Hoxha deklaroi se prokurori i ka besuar një deklarate të një personi që nuk dihet se a është në gjendje shëndetësore të mirë mendore.
Ai po ashtu tha se ky rast ka mundur të evitohej nga Prokuroria, pasi që ishin në dijeni për një tentim vrasje të mëhershme ndaj Orhan Ademaj, por thotë se pas administrimit të provave, gjykata do të nxjerr një aktgjykim të drejtë.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Albert Ademaj, avokat Hajrip Krasniqi në fjalën hyrëse deklaroi se kualifikimi i veprës penale në aktakuzë nuk përkon me atë çka është hetuar në raport me të mbrojturin e tij.
Avokati Krasniqi shtoi se kjo aktakuzë nuk është e plotë dhe se dëshmia e dëshmitarit Miran Halilit është e papranueshme, po ashtu tha se pas administrimit të provave, gjykata do të vërtetojë faktin se Albert Ademaj nuk e ka kryer veprën penale sipas aktakuzës.
Pas kësaj, është vazhduar me marrjen në pyetje të të dëmtuarës Z.K, nënës së të ndjerit M.K, në cilësinë e dëshmitares.
Dëshmitarja Z.K deklaroi se e di se ka pasur një mosmarrëveshje në mes të djalit të saj M. me këtu të akuzuarit, dhe se tre herë kanë shkuar tek shtëpia e tyre për të kërkuar falje, por familja e të akuzuarit nuk kanë pranuar kërkimfalje.
“Nuk di asgjë lidhur me ngjarjen e ndodhur, e di se ka ekzistuar një mosmarrëveshje mes palëve, djalit tim M. me të akuzuarit, nuk e di saktë me cilin prej tyre, tri herë kemi shkuar në familjen e tyre për të kërkuar falje, e di që dy herë ka shkuar P. pastaj edhe djali i kunatit B.K, por familja e të akuzuarve nuk k anë pranuar pajtimin. Më shumë nuk e di, nuk e di arsyen e mosmarrëveshjes vetëm e di se ka pasur një përleshje të vogël”, tha dëshmitarja.
E pyetur nga avokati Mazreku se a e di nëse nga kjo përleshje ka qenë i therrur me thikë i mbrojturi i tij Orhan Ademaj, dëshmitarja mohoi një gjë të tillë.
Dëshmitarja Z.K theksoi se tani i ndjeri M, ka punuar në Hotel “Oferta”.
“A ka qenë djali juaj ndonjëherë në burg”, e pyeti avokati Mazreku dhe në këtë moment dëshmitarja është alivanosur, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi ka ndërprerë seancën, e njëjta do të vazhdojë më 13 tetor 2021.
Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 30 tetor 2020, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020 në Prizren, saktësisht në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Transiti i ri”, në bashkëkryerje me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin M.K.
Tutje sipas aktakuzës thuhet se ditën kritike derisa të pandehurit ishin në qarkullim me veturën e tyre të markës “Golf III”, të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri Albert Ademaj, në momentin që e vërejnë të ndjerin M.K, i cili ishte në cilësinë e pasagjerit në motoçikletën e dëshmitarit Miran Halili, i përcjellin me automjetin e tyre së pari në lagjen “Ortakoll” dhe iu afrohen motoçikletës.
Bazuar në aktakuzë, vetë dëshmitari Miran deklaron se ka vërejtur thikën në dorën e të pandehurit Orhan dhe me qëllim të shmangies së konfliktit eventual i njëjti duke e drejtuar motoçikletën lëviz në drejtim të lagjes “Arbanë”, gjithnjë duke u ndjekur pas nga të pandehurit, të cilët kanë qenë në veturën e tyre.
Sipas aktakuzës, kur kur arrijnë në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Transit i ri ” në Prizren, e cila rrugë nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpitë për skaj rruge ku është regjistruar veprimi i të pandehurve, të cilët me automjetin e tyre iu janë vënë pas dhe e kanë goditur motoçikletën.
Thuhet se pas kësaj, i pandehuri Orhan pasi që del nga automjeti i afrohet të ndjerit M. dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit, pas së cilës me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes derisa viktima duke e mbajtur dorën në plagën e shkaktuar, pas së cilës ka ardhë auto ambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren.
Me këtë rast, sipas aktakuzës është vërtetuar se i njëjti në emergjencë ka arritur pa shenja jete, sipas raportit të mjekut kujdestar Sadri Hulaj me nr.3227 të datës 1 maj 2020.
Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë