Nëntë doganierët e Prizrenit kundërshtojnë aktakuzën për korrupsion
Në Gjykatën Themelore në Prizren, në seancën e së premtes, zyrtarët doganorë të Prizrenit, Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlia, kanë kundërshtuar aktakuzën për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Po ashtu, dy të akuzuarit Dritan Hasimja dhe Driton Kurshumlia të ngarkuar për veprën penale “Marrje ryshfeti”, kanë paraqitur kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën dhe provat, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kundërshtimet e tyre i kanë paraqitur edhe të akuzuarit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, të cilët po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprat penale “Kontrabandimi i mallrave”, “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” dhe “Tregtia e ndaluar”.
Mbrojtësit e të akuzuarve të lartcekur kundërshtimet e tyre për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave i paraqitën në formë me shkrim dhe bënë elaborimin e shkurtër të tyre.
Tutje, ata theksuan se ngritja e aktakuzës është bërë bërë në kundërshtim me afatet ligjore të parapara në Kodin e Procedurë Penale dhe si e tillë duhet të hudhet poshtë dhe të mos procedohet më tutje me shqyrtim gjyqësor.
Në seancën e shqyrtimit të dytë, prokurorja Ervehe Gashi paraqiti me shkrim përgjigjen e saj lidhur me kundërshtimin e avokatëve mbrojtës sa i përket hudhjes së aktakuzës dhe kundërshtimit të provave, duke i propozuar gjykatës që të njëjtat t’i hudhë poshtë si të pabazuara.
Pas kësaj, gjyqtarja Ajser Skenderi mbylli seancën e shqyrtimit të dytë dhe njoftoi se lidhur me kërkesën e avokatëve mbrojtës për hudhje të aktakuzës do të marrë vendim me shkrim.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur në qershor të 2021-ës, të pandehurit Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlia, në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë – si zyrtarë doganorë, 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, kalimin e automjeteve të ngarkuara me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro’’ dhe ”West’’, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këto, thuhet se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar rreth 3 milionë euro.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit me këto veprime në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 dhe nenin 81 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija më 7 shkurt 2019, kërkon nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi shumën prej 100 euro, për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi është më lirë nëse i dëmtuari i paguan 100 euro.
Po ashtu, i njëjti thuhet se më 31 mars 2019, kërkon nga i dëmtuari Mentor Rexhepi shumën prej 70 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit, duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.
Ndërsa, i akuzuari Hasimja më 3 shkurt 2019, thuhet se kërkon para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i, janë të liruara nga dogana.
Aktakuza thotë se më 8 shkurt 20219, i pandehuri merr shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.
Me këto veprime, sipas prokurorisë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale: “Marrje e ryshfetit’’ në vazhdimësi nga neni 421, par. 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, akuzohen se në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur duhan të grirë – refuz në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milionë e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro’’ dhe ”West’’, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me ç’rast ngarkohen se kanë kryer veprat penale “Kontrabandimi i mallrave “, “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” dhe “Tregtia e ndaluar” duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej rreth tre milionë euro.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje në vazhdimësi akuzohen se kanë kryer veprat penale; “Kontrabandim me mallra” nga neni 317, par 2, veprën penale “Shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318, par 2 si dhe veprën penale “Tregti e ndaluar “, nga neni 305, par 2, lidhur me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.