Nëntë prokurorë avancohen në PSRK, refuzohen kundërshtimet e tre kandidatëve
Prokurorët e avancuar janë: Naim Gashi, i cili nga vlerësimi ka marrë 87 pikë, Arbresha Raça-Shala 85.33 pikë, Shenaj Berisha 83.66 pikë, Shahadin Destani 82 pikë, Halim Borovci 77 pikë, Katriot Memaj 76.33 pikë, Fatos Ajvazi 71.33 pikë, Bekim Kodraliu 71 pikë dhe Ajshe Ferati ka marrë 70.66 pikë.
Kryetari i komisionit vlerësues, u.d Kryeprokurori Besim Kelmendi, tha se kandidatët e përzgjedhur janë vlerësuar në bazë të vlerësimit të përformances, nuk kanë pasur masa disiplinore, ngritjen akademike dhe përgjigjet e dhëna gjatë intervistimit, e që sipas tij këta kandidatë kanë plotësuar kriteret sipas rregullores.
Por ndaj këtij vlerësimi të komisionit, ankesa kanë parashtruar kandidati Kujtim Munishi, Bukurije Gjonbalaj dhe Fitore Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, ka paraqitur kundërshtimin e tij në lidhje me vlerësimin, sipas tij të moszbatimit të ligjit dhe poentim të pasaktë dhe të njëanshëm. Ai tha se ky proces ishte diskriminues dhe sipas tij komisioni ishte themeluar në kundërshtim me rregulloren dhe se vlerësimi i kandidatëve është bërë pa monitorues nga shoqëria civile dhe nuk është incizuar.
Munishi nga komisioni ishte vlerësuar më 64.66 pikë, duke zënë vendin e 11-të, i cili përmes ankese së tij ka kërkuar anulim e gjithë procesit.
Në lidhje me këto kundërshtime të Munishit, kryesuesi i komisionit Besim Kelmendi ka thënë se për këtë konkurs kanë qenë të njoftuar edhe shoqëria civile edhe partneret ndërkombëtar por që nuk kanë marrë pjesë.
Ndërsa, për vlerësimin, Kelmendi u shpreh se nga të gjithë kandidatët kanë kërkuar nga tri kopje të aktakuzave për të bërë një vlerësim profesional.
Për këtë, ai tha se prokurori Munishi ka paraqitur aktakuza të vitit 2017, duke thënë se prej atij viti nuk e ka ushtruar veprimtarinë si prokuror. Ai tha se ka vlerësime të mira si menaxher i prokurorisë, por në rastin konkret është marrë parasysh përvoja e punës pasi ka aplikuar në një prokurori që është shumë komplekse.
Por më këtë konstatim nuk është pajtuar anëtarja Jehona Grantolli, e cila tha se kandidati Munishi ka menaxhuar prokurorinë me numrin me të madh të rasteve në këtë sistem dhe se gjatë përformances së tij kjo prokurori ka pas efikasitet.
Ajo tha se gjatë kohës sa Munishi ka qenë në menaxhimin e kësaj prokurorie, ka qenë e pamundur të trajtoj edhe raste, duke pyetur se nëse ky kriter do kërkohet edhe për pozitat tjera në të ardhmen. Sipas saj, tek çështja e integritetit Munishit i është bërë edhe njëherë tjetër padrejtësi kur kishte aplikuar për Kryeprokuror të shtetit.
Edhe anëtari Armen Zenelaj, pyeti nëse është përzierje e kompetencave të komisionit për vlerësimin e përformances kërkimi i aktakuzave.
Për këtë, Kelmendi tha se nuk ka qenë kriter por ka ndihmuar në vlerësimin profesional të kandidatëve.
Më 6 vota kundër dhe katër për, ky kundërshtim i Munishit nuk u aprovua nga Këshilli Prokurorial.
Kundërshtime në lidhje me vlerësimin e komisionit, kishte paraqitur edhe prokurorja Bukurije Gjonablaj, për mos aplikim të drejtë të kritereve dhe poentimit. Gjonbalaj në ankesë kishte thënë se nuk i është poentuar drejtë përformanca, përvojën e punës, specializimi e trajnimet e saja.
Edhe për ankesën e Gjonbalajt, Kelmendi tha se kriteret dhe poentomi janë të qarta dhe varësisht nga vlerësimi i përformancës vendosen edhe pikët, duke shtuar se e njëjta nuk ka pasur ngritje akademike dhe ka pasur vetëm disa trajnime. Ndërsa në kategoritë tjera ka thënë që ka pasur pikët pothuajse maksimale.
Këshilli ka refuzuar edhe kundërshtimet e prokurores Gjobalaj.
Edhe prokurorja, Fitore Sadikaj ishte ankuar se komisioni e ka dëmtuar tek pikët e përformancës në vlerësimin e integritetit dhe përvojën e punës. Ajo kishte thënë se në të njëjtën kategori kur kishte aplikuar për prokurore të Apelit ishte vlerësuar me lartë ndërsa, në këtë konkurs me ulët.
Në lidhje me ankesën e Sadikajt, Kelmendi tha se vlerësimi i komisionit ka qenë korrekt dhe në përputhje me rregulloren.
Edhe ky kundërshtim u refuzua nga ana e Këshillit.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, u aprovua ndryshimi i përbërjes së Komisionit për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shteti. Kjo pasi sipas kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj, komisioni kishte mandat deri në avancimin e nëntë prokurorëve në PSRK.
Ai tha se anëtares Merita Mina-Rugova i ka përfunduar mandati si anëtare e Këshillit dhe në vend të saj u propozua Jehona Grantolli. Ndërsa, tha se anëtari Enver Sokoli ka arritur pensionimin dhe në vend të tij u propozua Agron Bajrami.
Ky propozim u votua nga të gjithë anëtaret e Këshillit.
Një anëtar, u zëvendësua edhe në Akademinë e Drejtësisë, kjo pasi Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Xhevdet Bislimi ka dhëne dorëheqje edhe nga pozita e kryeprokurorit edhe nga anëtari i Këshillit të Akademisë se Drejtësi, për shkaqe shëndetësore.
Këshilli aprovoi edhe dy propozimet e Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe asaj të Gjilanit. Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar hapjen e konkursit për avancim të një prokurori në Departament për të Mitur pasi kjo prokurori funksionon vetëm me një prokuror, ndërsa Prokuroria e Gjilani ka kërkuar avancimin e prokurorëve në Departament për Krime të Renda, pasi kanë mungesë pas pensionimit të një prokurori dhe dorëheqjes se një tjetri.
Tutje, në këtë takim Merita Bina-Rugova u propozua që të zgjidhet udhëheqëse e Departamentit për Krim të Organizuar në Prokurorinë Speciale, por vendimi për këtë propozim është shtyrë pasi të shikohet rregullorja nëse ka ndonjë pengese që ajo të marrë ketë pozitë pasi ka qenë anëtare e Këshillit.
Ndër të tjera, Këshilli në fillim diskutoi dhe miratoi planin e integritetit në sistemin prokurorial, rregulloren për Mandatin, Strukturën, Funksionimin dhe Organizimin e Zyrës për Mbrojte dhe Ndihmën e Viktimave, raportin vjetor të punës së Prokurorit të Shtetit dhe raportin përmbledhës të Komisionit për vlerësimin e përformancës së Prokurorëve.
Me dyer të mbyllura për publikun po vazhdon diskutimi për pikën “Raporti përfundimtar për vlerësimin e parregullt të përformancës së një (1) prokurori të PTH në Prishtinë dhe kundërshtimi i parashtruar”, si dhe pika “të ndryshme”.