Nesër (të enjten) vihet gurthemeli në Prizren, ja ku do të vendoset shtatorja e Skënderbeut
Nesër në ora 11:00, në Prizren do të vihet gurthemeli i shtatores së Skënderbeut, raporton Gazeta e Prizrenit.
Referuar njoftimit të Komunës së Prizrenit, tashmë është përcaktuar lokacioni dhe ai është tek rrethrrotullimi pranë stacionit të autobusëve, në hyrje-daljen e rrugës Prizren-Gjakovë, tek ish-qendra tregtare “Ben-af”.
Fillimisht ishte propozuar ky lokacion, por propozim i komisionit të ekzekutivit prizrenas, pat shkaktuar reagime nga pjesëtarët e shoqërisë civile, të cilët kanë përkrahën idenë që shtatorja për Skënderbeun, duhet të ngrihet në qendër të Prizrenit.
Organi më i lartë lokal, Kuvendi Komunal, kohë më parë ka miratuar vendimin për ngritjen në Prizren shtatores së Skënderbeut dhe bustin e Komandantit legjendar, Adem Jashari.
Vënia e gurthemelit të shtatores së Skënderbeut, bëhet në kontekstin e 28 Nëntorit-datës që përkon me disa ngjarje madhore të historisë kombëtare.
Ndryshe, sipas projektit të propozuar, parashihet që shtatorja e Skënderbeut të këtë lartësi prej 3.3 metrash, me gjerësi prej 1 metër.
Sipas marrëveshjes, financimin e projektit do ta bëjë Shoqata e intelektualëve shqiptarë “Trojet e Arbrit”, ndërsa Komuna do t’i kryej punët për rregullimin e hapësirës dhe të ndriçimit./ GazetaePrizrenit.net/