23-11-2024

Nga 18 pacientët në dializë që u infektuan me COVID-19, kanë vdekur 4

Raportet shkencore tregojnë se COVID-19 mund të paraqesë ndryshime në veshka tek 20-40 për qind e të prekurve. Në Kosovë ende nuk ka të dhëna lidhur me këtë lloj ndikimi tek më shumë se një mijë raste me koronavirus që janë regjistruar deri më tani. Por ajo që dihet është se tek 2 pacientë me COVID-19 është paraqitur nevoja për terapi zëvendësuese me dializë.

Të dyja këto raste, sipas drejtoreshës së Klinikës së Nefrologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Venera Gjuka, kanë pasur pamjaftueshmëri akute të veshkave të shkaktuar nga COVID-19. Njëri prej këtyre pacientëve ka vdekur si pasojë e COVID-19, ndërsa tjetri është në gjendje të rëndë. Ndërkohë që në numrin e përgjithshëm të të infektuarve bëjnë pjesë edhe 18 pacientë që para se të infektoheshin kanë qenë në trajtim në dializë. Deri më tani 4 ose 22.22 për qind e tyre kanë vdekur, raporton KOHA.

Gjuka ka thënë se raportet shkencore tregojnë që tek një përqindje e të sëmurëve me COVID-19 mund të paraqiten komplikime në veshka. “Sipas raporteve ekzistuese shkencore tek 20-40 për qind e të sëmurëve me COVID-19 mund të paraqiten ndryshime në veshka duke filluar nga proteinuria dhe hematuria deri në pamjaftueshmëri akute të veshkës”, ka theksuar Gjuka. Sipas saj, prekja e veshkave tregon për një prognozë të keqe të të sëmurëve me COVID-19. “Ne kemi dializuar dy pacientë me COVID-19 që kanë pasur edhe pamjaftueshmëri akute të veshkave. Njeri prej tyre ka përfunduar me vdekje, si pasojë e COVID-19. Tjetri është në gjendje të rendë”, është shprehur Gjuka.

Sipas saj, pamjaftueshmëria akute tek këto dy raste është shkaktuar nga COVID-19. “Po (pamjaftueshmëria akute është shkaktuar nga COVID-19 v.j.), këta nuk kanë qenë të sëmurë prej veshkave, por kanë pasur faktorë rreziku për sëmundje të veshkave. Që të dy janë me sëmundje të diabetit”, ka thënë Gjuka./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.