24-11-2024

Nga 36 rastet e sotme me Covid-19, asnjë nga rajoni Prizrenit

36 raste të reja me Covid-19 janë shfaqur sot në vend, ndërsa asnjë nuk është nga rajoni i Prizrenit.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se janë shëruar 8 pacientë të prekur me këtë virus.

Për dallim nga dy ditët e mëparshme, kur dolën 5 raste pozitive, sot nuk është asnjë nga komuna e Prizrenit, pavarësisht se nuk është njoftuar nëse sot ka pasur mostra të marra nga kjo komunë,  shkruan Gazeta e Prizrenit.

Rastet e sotme pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 24 raste (sipas vendbanimit: 15 Nedakoc, 6 Vushtrri, 2 Novolan dhe 1 Reznik), komuna e Mitrovicës 6 raste (sipas vendbanimit: 6 raste Mitrovicë) dhe Fushë Kosovë 6 raste (sipas vendbanimit: 6 Miradi e Poshtme)”.

IKSHPK tutje bën me dije se nga data 08 shkurt deri më 06 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 16.378 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.194 raste, me gjithsej 30 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome./GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.