24-11-2024

Nga një muaj paraburgim ndaj katër të dyshuarve për keqpërdorime e ryshfet me tenderë në MPB

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke ua caktuar masën e paraburgimit ndaj katër të dyshuarve A.S., B.B., N.S dhe G.H., të cilët dyshohen për marrje e dhënie ryshfeti gjatë procedurave tenderuese dhe realizimit të projekteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Për të dyshuarit me iniciale (A.S., B.B. dhe N.SH.) ekziston dyshimi i bazuar se në cilësi të personave zyrtar duke vepruar në bashkëpunim gjatë realizimit të disa procedurave tenderuese dhe realizimit të projekteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) kanë marrë ryshfet nga operatori ekonomik i kontraktuar për kryerjen e projekteve. Të dyshuarit (N.S.) dhe (G.H.) në cilësi të përfaqësueseve të operatorit ekonomik dyshohen për veprën penale të Dhënies se Ryshfetit me qellim të krijimit të përparësive të paligjshme gjatë realizimit të projektit për ndërtimin e “një objekti të një agjencie” dhe projekteve tjera të zhvilluara nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), të njëjtit dyshohen edhe për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” përcaktuar sipas kodit penal të RKS-së”, thuhej në njoftim.

Tutje thuhej se gjatë zbatimit të urdhër kontrollit janë sekuestruar dëshmi dhe pajisje në cilësi të provës materiale.

“Pas intervistimit të dyshuarit A.S., B.B., N.S., G.H. me vendim të Prokurorit të Shtetit nga PTH-Prishtinë ndalohen për 48 orë, ndërsa e dyshuara N.SH. lirohet në procedurë të rregullt”, kishte njoftuar Policia. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.