Nga qershori, valë nxehtësie dhe kushte të motit ekstrem edhe në Has
Temperaturat e vrojtuara në sipërfaqen e oqeanit Paqësor gjatë periudhës janar-prill 2020 tregojnë për ndikim të theksuar të fenomenit El Nino në kushtet e motit global.
Ndërsa një tjetër tablo më të butë, prezanton oqeani Indian ku fundi i vitit2019 dhe përgjithësisht këto muaj të 2020 tregojnë për një fazë neutrale të Elninos. Parashikohet një dobësim i lehtë i El Nino-s nga fundi i muajit korrik, por ky dobësim pritet të jetë gradual prandaj dhe ndikimi i tij në stinën e verës për pjesën më të madhe të Europës, do të ndjehet në fillim-vjeshtë.
Në këto kushte, vera e këtij viti do të ndjekë trajektoren termike të 5 viteve të fundit me temperatura të larta, por ndryshe nga vitet e tjerë, ditët shumë të nxehta gjatë verës 2020 do të jenë më të pakta.
Edhe tabloja e reshjeve gjatë periudhës qershor-shtator, paraqitet e varfër, pasi reshjet do të shfaqen në kontinent jo në trajtën e tyre të natyrshme, por në formën e 2-3 stuhive tropikale, të cilat do të sjellin kushte të motit ekstrem, kryesisht në Evropën Perëndimore. Ajo çfarë do të spikatë gjatë muajve të nxehtë të këtij viti, është shfaqja e stuhive tropikale, jo vetëm në pellgun e Mesdheut nga brigjet e Spanjës në Izrael, por edhe në gjerësi gjeografike veriore si veriu i Italisë, Austria, Hungaria dhe Gjermania.
Parashikohet që nga qershori deri në fillim-vjeshtë, Evropianët të përballen me kushte të motit ekstrem të natyrave të ndryshme nga moti i nxehtë me thatësirë dhe zjarre në pyje deri te stuhitë afatshkurtra të natyrës tropikale. Në tablonë stinore Evropiane, Shqipëria pritet të përballet me mot të nxehtë dhe të thatë gjatë qershorit-korrikut, ku reshjet do të shfaqen kryesisht në skajet veri-verilindje, ndërsa gushti dhe pjesa më e madhe e shtatorit do të vijojnë disi më të freskëta, por thatësira në pjesën më të madhe të Shqipërisë do të theksohet akoma më tepër.
Parashikohet që kulmi i nxehtësisë së kësaj vere, të shënohet në periudhën qershor-korrik kur temperaturat ngjiten në 40°C në disa qytete të shtrirjes perëndimore; madje edhe zonat verilindore Has-Kukës-Peshkopi pritet të shënojë gjatë muajve qershor-korrik, të ngjiten pranë 40 gradëve.