25-11-2024

Ngacmohet seksualisht një vajzë në Prizren, kërkon ndihmë mjekësore

Ecja nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës është shndërruar në sport ekstrem për vajzat dhe gratë. Kjo për shkak të mungesës së sigurisë pasi që ato gjatë kohës që lëvizin vetëm nëpër qytete, vazhdimisht hasin në persona të dyshimtë të cilët i ngacmojnë ato e për më tepër marrin guximin edhe t’i sulmojnë dhe dhunojnë seksualisht, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në qytetin e Prizrenit, ku viktimë është një vajzë 21-vjeçare.

Burimet e Gazetës Sinjal brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka filluar në parkun e qytetit, kur viktima kishte vërejtur se një person i panjohur po e ndiqte nga mbrapa.

Bazuar në dëshminë e 21-vjeçares dhënë organeve të hetuesisë, në një moment i dyshuari e kishte kapur në të pasme dhe më pas e kishte shtyrë duke e rrëzuar përtokë.

Si pasojë e kësaj, vajza kishte marrë lëndime trupore dhe kishte kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Ndërkohë njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Ngacmim seksual’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Asnjë koment

Comments are closed.