Ngjarje e rëndë: Përfshihet nga flakët një shtëpi në Rahovec, humb jetën një grua
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Hoçë e Madhe në Rahovec, ku një shtëpi është përfshirë nga zjarri dhe për pasojë një grua e moshuar ka humbur jetën. Vdekja e saj është konfirmuar nga ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes, ndërsa janë zbuluar edhe rrethanat e rastit, raporton Gazeta Sinjali.
Viktima e këtij rasti është një grua 85-vjeçare, shtetase e Kosovës, pjesë e komunitetit serb.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit ta cilët kanë intervenuar menjëherë për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit si dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për rastin.
Pas ekzaminimeve të kryera në vendngjarje, duke u bazuar në hetimet e para, Policia ka njoftuar se dyshohet se zjarri shpërtheu në mënyrë aksidentale nga stufa me të cilën ngrohej e moshuara.
Megjithatë, shkaktari zyrtar i vdekjes së viktimës do të vërtetohet vetëm pas ekzaminimit mjeko ligjor, gjë e cila është urdhëruar nga prokurori i shtetit.
Hetimet në lidhje me këtë ngjarje tragjike janë duke vazhduar, ndërsa rasti është inicuar si “incident zjarri” dhe “hetim i vdekjes”.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.