Ngritet aktakuzë kundër shtatë të dyshuarve për dhunimin e 11-vjeçares
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër shtatë personave të dyshuar për dhunimin dhe trafikimin e vajzës së mitur në muajin qershor të vitit të shkuar.
Të dyshuarit Driton Rrahmani, Gëzim Sadiku, Blendin Sadiku, Behlul Rrahmani, Egzon Sadiku, Muhamet Restelica dhe Muhamet Sadiku, dyshohen se gjatë muajit qershor kanë trafikuar dhe e kanë keqpërdorur seksualisht të miturën 11-vjeçar.
Sinjali mëson se Driton Rrahmani dyshohet se më datën 21 qershor ka filluar komunikimin me të miturën në rrjete sociale e më pas kanë lënë takim në Prishtinë. Që aty dyshohet se e ka marrë me veturën e tij të miturën dhe më pas kanë shkuar në një hotel në Malishevë, ku edhe kanë kryer marrëdhënie seksuale. I njëjti dyshohet se pavarësisht që ka ditur për moshën e viktimës, i ka aranzhuar asaj takime me persona të tjerë, përkatësisht me Blendin dhe Gëzim Sadikun, të cilët po ashtu kanë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën. Rrahmani akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Dhnunimi’.
Sipas aktakuzës, Gëzim dhe Blendin Sadiku dyshohet se të njëjtën ditë e kanë shfrytëzuar viktimën për shërbime seksuale, me të cilën pasi janë njohur përmes Driton Rrahmanit. Ka qenë i pari Blendini ai i cili ka marrë vajzën e veturën e tij dhe më pas ka shkuar në një motel në fshatin Shkabaj të Obiliqit, ku kanë kryer marrëdhënie seksuale. Më vonë gjatë mbrëmjes është paraqitur edhe Gëzimi, i cili po ashtu ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën. Për shkak të këtyre veprimeve, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’.
Ndërsa Behlul Rrahmani dyshohet se që nga viti 2021 deri në qershor të 2022-tës, ka kryer disa herë marrëdhënie seksuale me të miturën, duke kryer kështu veprën penale ‘Dhunimi’.
Egzon Sadiku dyshohet se ka vënë në kontakt dy të dyshuarit tjerë, Driton Rrahmani dhe Muhamet Sadiku, me të miturën, duke ua mundësuar atyre që të aranzhojnë takime për të kryer marrëdhënie seksuale. Egzoni po ashtu ka shoqëruar Dritonin në veturën e tij, ku ndodhej edhe e mitura e cila po dërgohej në Shkabaj për t’u takuar me të dyshuarin tjetër, Gëzim Sadiku. Për këto veprime, Egzoni akuzohet se ka kryer veprën në formë të bashkëpunimit të kryerjes së veprës penale ‘Ndihmë në kryerjen e veprës penale ‘Dhunimi’.
Muhamet Sadiku po ashtu dyshohet se është takuar me të miturën në Prishtinë dhe të nëjtën e ka dërguar në një motel në Shkabaj, ku ka kryer marrëdhënie seksuale, pavarësisht moshës së saj të vogël. Ai akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Dhunimi’.
Marrëdhënie seksuale me 11-vjeçaren ka kryer edhe Flamur Sadiku, i cili pas komunikimeve në rrjete sociale me viktimën, i ka kërkuar asaj disa fotografi e më pas kanë lënë që të takohen në një lokacion në Prishtinë. Që aty e ka marrë viktimën dhe kanë shkuar në fshatin Milloshevë, ku në një motel kanë kryer edhe marrëdhënie seksuale. Ai akuzohet për veprën penale ‘Dhunimi’.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.