27-11-2024

Ngritet aktakuzë ndaj kryetarit të AAK-së në Prizren

Dallaveret e bëra në Kompaninë Rajonale për Mbeturina “Ekoregjioni”sh.a. në Prizren, janë bërë shkaktar i nisjes së hetimeve dhe tashmë ngritjes së një aktakuze ndaj kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prizren, Besnik Krasniqi, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

E gjitha nisi vetëm pak kohë pasi që Besnik Krasniqi nga një zyrtar i AAK-së është zgjedhur kryetar i Degës së kësaj partie në Prizren.

Më saktësisht Krasniqi mori drejtimin e partisë në muajin maj të vitit 2022.

Besnik Krasniqit iu besua pozita e kryetarit të Komisionit Komunal të aksionarëve të “Eko-Regjionit”, në komunën e Prizrenit dhe kështu filloi të merrte edhe kontrollin në ndërmarrjet publike. Ai nisi të hiqte nga pozitat drejtuese persona të caktuar dhe të vendoste në vend të tyre persona të afërt me të, në këtë rast zyrtarë të lartë të AAK-së.

KosovaNews ka siguruar dosjen e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, respektivisht të Departamentit për Krime të Rënda, ku shpalosen detaje për rastin e hetimeve që nisën kohë më parë dhe ngritjen e aktakuzës tani ndaj Krasniqit.

Shkarkimi pa bazë i kryesuesit të Bordit dhe emërimi i bashkëpartiakut (AAK) në mënyrë të jashtëligjshme

Një vit më parë në Prokurorinë Themelorë të Prizrenit është ngritur një kallëzim penal ndaj Besnik Krasniqit, Adrit Krasniqit dhe Qemal Krasniqit, që të tre anëtarë të Komisionit Komunal të Aksionarëve për Ekoregjion, të Komunës së Prizrenit.

Kallëzimi penal është ngritur pasi në muajin qershor të vitit 2022, të tre Krasniqët e bashkuar, e shkarkuan nga detyra e kryesuesit të Bordit në “EKO REGJION”, Bujar Dakën.

Menjëherë pasi Bujar Daka shkarkohet, me rekomandim të Besnik Krasniqit në pozitën drejtuese në Ekoregjion është emëruar Liridon Sallauka, i cili atë kohë ka pasur pozitë të lartë partiake, më saktësisht ka qenë sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Prizren.

Kështu me emërimin e Sallaukës është vepruar në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrje, ku theksohet se nuk mund të zgjidhet ndonjë person në qoftë se në periudhën kohore prej 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë i emëruar politik apo ka qenë bartës i një pozite udhëheqëse në një parti politike, shkruan KosovaNews.

Hetimet nxjerrin përgjegjësin e keqpërdorimit – Adriti e Qemali thonë Besniku nuk paraqiti CV-në e Liridon Sallaukës para komisionit

Prokurori i shtetit me të pranuar kallëzimin penal edhe ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht Njësitin për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prizren, për grumbullimin e fakteve dhe provave në këtë çështje penale.

Hetuesit policor kanë bërë një sërë veprimesh për grumbullimin e provave për këtë rast, duke i intervistuar me radhë edhe të tre Krasniqët.

Adritt Krasniqi dhe Qemal Krasniqi pavarësisht se kanë qenë anëtarë të komisionit përzgjedhës, në dëshminë e tyre kanë thënë se nuk kanë qenë fare në dijeni se Liridon Sallauka ka bartur pozitë të lartë në AAK. Ata kanë sqaruar se Besnik Krasniqi ka insistuar në përzgjedhjen e Sallaukës edhe pse nuk e ka paraqitur fare para komisionit CV-në e tij.

Kjo edhe i ka shfajësuar Adri Krasniqin dhe Qemal Krasniqin në rastin e shkeljes ligjore, ndërsa është ngritur aktakuza ndaj Besnik Krasniqit për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 1 të KPRK-së.

“Ndaj Besnik Krasniqit, Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për krime të rënda ka ngritur aktakuzën për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 1 të KPRK-së, meqë ka marrë vendim dhe shkarkuar Bujar Dakën nga pozita e drejtorit të Bordit të kompanisë EKO Regjioni në Prizren dhe ka vendosur bashkëpartiakun Liridon Sallauka, i cili para se ta pranoj këtë detyrë ka pasur pozitë të lartë politike në subjektin politik AAK në Prizren si sekretar i përgjithshëm. Andaj me dashje është shkelur neni 17 par 2 pika k e Ligjit mbi ndërmarrje ku theksohet se nuk mund të zgjidhet drejtor i Bordit personi në qoftë se në periudhën 36 muajshe para datës së aplikimit ka qenë i emëruar politik dhe bartës i një pozite udhëheqëse në një parti politike”, thuhet në arsyetimin për ngritjen e aktakuzës nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Prokurorisë.

Kompania Rajonale për Mbeturina “Ekoregjioni”sh.a. –Prizren, është Kompani Publike, me traditë pune mbi 45 vjeçare, e specializuar për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe të higjienës publike përfshirë edhe bartjen e mbeturinave si veprimtari të saj themelore, në Regjionin e Prizrenit që përfshinë komunat: Dragash, Suharekë, Rahovec dhe Malishevë./KosovaNews

Besnik Krasniqi – kryetar i Degës së AAK-së në Prizren

Asnjë koment

Comments are closed.