26-11-2024

Ngritet aktakuzë për korrupsion ndaj zyrtarit të Autoritetit Pyjor në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit I.O, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Gazeta e Prizrenit.

Përmes një komunikate për medie njoftohet se, i akuzuari I.O, më 27 janar 2022, rreth orës 13:30 në Prizren, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar – inxhinier i pylltarisë pranë Autoritetit Pyjor në kuadër Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komunës së Prizrenit, tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për vete ose për personin tjetër – në rastin konkret personit juridik Sh.P.K ‘’B’’ nga fshati V. – KK Suharekë.

“Duke zbatuar vendimin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit për prerjen dhe krasitjen e drunjve, të cilët gjenden në parkun e qytetit dhe dërgimin e tyre në hapësirat e Agjencionit të Pylltarisë në Prizren, duke tejkaluar kompetencat e veta në mënyrë të paautorizuar së pari angazhon  kompaninë  Sh.P.K ‘B’ për prerjen dhe krasitjen e drunjve, pa kaluar në procedurë te tenderimit dhe në kundërshtim me vendimin e D.SH.P në Prizren, që të njëjtat të dërgohen në hapësirat e Agjensionit të Pylltarisë në Prizren, drunjtë e prerë në sasi prej 43,96 m3 i dërgon në hapësirat e zonës industriale në Lubizhdë, të cilat janë transportuar përmes firmës, e cila ka bërë prerjen dhe krasitjen e drunjtëve, duke i mundësuar të njëjtës përfitim pasuror të kundërligjshëm”, thuhet ne komunikatë.

Me këto veprime, i akuzuari ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1, i Kodit Penal.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim. /GazetaePrizrenit.net

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.