Ngritet aktakuzë për kri*me luftë nda dy ish-policëve serb – Prokuroria jep detaje
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar një aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj A.Z. dhe B.D., për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.Z., në cilësinë e inspektorit në Stacionin Policor në Prizren, dhe B.D., në cilësinë e policit në të njëjtin stacion, gjatë viteve 1998-1999, individualisht dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, kanë kryer një fushatë arrestimesh ndaj popullsisë civile në komunat e Rahovecit dhe Suharekës.

Mes të arrestuarve ishin R.J., M.K., E.G., S.E., V.V., Q.K., U.K., H.G., S.G., H.Sh dhe A.Z., të cilët, gjatë procesit të marrjes në pyetje, sipas aktakuzës, janë rrahur me mjete të forta dhe janë nënshtruar metodave të tjera çnjerëzore të trajtimit. Si pasojë, R.J. ka humbur jetën, ndërsa personat e tjerë kanë pësuar lëndime serioze trupore.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u mbështetur në nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, ka propozuar që Gjykata të mbajë gjykimin në mungesë, pasi të pandehurit A.Z. dhe B.D. janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

