Ngritet aktakuzë për spiunazh ndaj një personi, paguhej nga 700 euro në muaj për informatat që i jepte BIA-s
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj H.S. për veprën penale “Spiunazh”, njofton institucion i drejtësisë.
Sipas aktakuzës, H.S. akuzohet se nga nëntori i vitit 2009 deri në momentin e arrestimit më 6 maj 2025, ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (BIA).
Në aktakuzë thuhet se më 22 nëntor 2015, H.S. kishte udhëtuar në Siri dhe iu bashkua organizatës terroriste “ISIS”.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se H.S. kishte dërguar informacione te zyrtarët e BIA-së, në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ‘ISIS’, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata. Ndërsa, pas kthimit në Kosovë, dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, i njëjti kishte vazhduar të takohej në Serbi me zyrtarët e BIA-së, më konkretisht me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit I.B., dhe të përcjell informata tjera të rëndësishme”, thuhet në njoftim.
Aktakuzës i shtohet se H.S. paguhej nga BIA deri në 700 euro në muaj për informacionet e dhëna.
Prokuroria Speciale ka propozuar vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri do të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe do t’i shqiptohet dënim sipas ligjeve në fuqi.