01-03-2025

Nis hartimi i projektit për riparime në Kullën e Zaptive në Zym të Hasit

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka nisur procesin e hartimit të projektit për ndërhyrjet restauruese në Kullën e Zaptive në fshatin Zym, një ndërtesë me rëndësi historike dhe arkitektonike.

Referuar njoftimit, projekti synon të sigurojë ruajtjen dhe promovimin e vlerave të kësaj ndërtese, e cila ka pasur funksione të ndryshme publike deri në mesin e shekullit XX.

“Stafi profesional është i angazhuar maksimalisht që hartimi i projektit të përfundojë brenda afateve optimale, duke respektuar standardet më të larta në fushën e konservimit dhe restaurimit. Të gjitha fazat e punës po realizohen me kujdes të veçantë, duke u mbështetur në hulumtime historike dhe analiza teknike të detajuara”, thuhet në njoftim.

Pas përfundimit të procedurave ligjore, do të nisë zbatimi i projektit, duke mundësuar ndërhyrje të nevojshme për mbrojtjen dhe funksionalizimin e ndërtesës.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt valorizimit të trashëgimisë kulturore dhe forcimit të identitetit historik të komunitetit në Zym.

Asnjë koment

Comments are closed.