24-11-2024

Nis intervistimi i dëshmitarëve për rastin Dehari

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nxjerrë një urdhëresë apo një vendim me të cilin i ka autorizuar Policinë e Kosovës, që të marrin në pyetje mbi 15 dëshmitarë që shumica prej tyre janë të njëjtë janë një pjesë e madhe gardian të qendrës së paraburgimit në Prizren, janë stafi mjekësor që ka qenë në qendrën e paraburgimit në Prizren dhe risia është se do të merret në pyetje në cilësinë e dëshmitarit edhe ish-komandanti regjional i Policisë së Kosovës, Nexhmi Krasniqi dhe sipas vendimit të Prokurorisë pastaj ata do të vendosin që pas grumbullimit të këtyre provave se si do të vazhdojë më tutje në rastin e vrasjes së Astrit Deharit”, tha Gashi.

Por, vendimin e Prokurorisë Speciale, Gashi po e quan të gabueshëm pasi sipas tij po përsëriten veprimet të cilat janë ndërmarrë edhe më herët.Gashi thotë se një pjesë e këtyre të intervistuarave do të duhej të ishin në cilësinë e të dyshuarve për rastin e Astrit Deharit.

“Unë besoj që Prokuroria krejtësisht në mënyrë të gabueshme kanë nxjerrë këtë vendim meqenëse thuajse janë duke u përsëritur veprimet që janë ndërmarrë edhe më herët mirëpo tani dallimi është se hetimet është duke i kryer njësia regjionale e Prishtinës, drejtoria për krimit të organizuar dhe janë hetues krejtësisht të tjerë të cilët janë hetues më të mirë dhe janë të nivelit të punës së tyre, por unë besoj që së paku një pjesë e tyre që janë duke i intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve do të duhej të ishin të intervistuar në cilësinë e të dyshimtëve”, u shpreh Gashi.Gashi për Ekonomia Online tha se po presin të përfundojnë këto hetime dhe pastaj përsëri do t’i bëjnë një kërkesë prokurorit që të nxjerrë një vendim për zhvillimin e hetimeve, në të kundërtën thotë se do të bëjnë një kallëzim penal.

“Nëse Prokuroria këtë nuk e bënë atëherë thjesht në mënyrë ligjore do ta detyrojmë sepse do të paraqesim kallëzim penal kundër të gjithë përgjegjësve dhe aty mund të ketë edhe zyrtarë të Prokurorisë apo vetë prokurorë që kanë qenë të involvuar më herët pastaj në kallëzim penal do të përfshijmë edhe hetuesit që janë të përfshirë në rastin e vrasjes së Astrit Deharit duke e theksuar sipas tyre një periudhë kohore shumë të shkurtë ndoshta pas disa minutave që sipas tyre kinse ka qenë vetëvrasje dhe të gjithë përgjegjësit që kanë sjellë tek kjo situatë që as pas tri vjetëve, rasti mos të identifikohet në mënyrë të ligjshme që është rast i vrasjes”, u shpreh Gashi.

Sipas Gashit, intervistimi i 15 personave për rastin e Astrit Deharit do duhej të përfundonte deri në fund të dhjetorit të këtij viti ose eventualisht deri në janar të vitit 2020.

Asnjë koment

Comments are closed.