Nis karvani i vaksinimit kundër gripit sezonal dhe Covid-19
Qytetarët e Kosovës mund ta vaksinohen kundër COVID-19 edhe me dozat bivalente përforcuese.
“Ky aktivitet synon që të ndihmojë qytetarët për ta kuptuar sa më mirë rëndësinë e vaksinimit dhe njëkohësisht për t’u vaksinuar kundër Gripit sezonal dhe kundër COVID-19, në kohën kur në vende të ndryshme të botës numri i rasteve të reja të COVID-19 ka filluar të rritet. Për këtë qëllim, për një periudhë kohore prej më shumë se një muaji, në komunat e Kosovës, ekipet e vaksinimit do t’u mundësojnë qytetarëve që të vaksinohen përmes këtij aktiviteti.”, ka informuar MSh.
Objektivat e karvanit të vaksinimit janë:
• Inkurajimi i qytetarëve për vaksinimit kundër COVID-19 dhe kundër gripit sezonal dhe promovimi i sjelljeve parandaluese dhe masave të shëndetit publik;
• Sigurimi që vaksinimi kundër Gripit sezonal dhe COVID-19 të jetë lehtësisht i arritshëm në komunitetet lokale, veçanërisht për popullatën me të ndjeshme dhe;
• Promovimi i pjesëmarrjes së drejtuesve të komunitetit në aktivitetet lokale për të adresuar pengesat në procesin e vaksinimit.
Gjatë karvanit të vaksinimit, përveç vaksinës kundër gripit sezonal, siç ka informuar ministria, qytetarët do të mund të vaksinohen edhe me dozat bivalente përforcuese kundër COVID-19, të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë.
Karvani do të fillojë më 22.12.2022 në komunën e Fushë-Kosovës, për të vazhduar edhe në komunat e tjera të Kosovës.
Informacione për dozat bivalente përforcuese kundër COVID-19
Dozat bivalente përforcuese kundër COVID-19, sipas MSh-së, janë në dispozicion të qytetarëvë në të gjitha qendrat e vaksinimit në komunat e Kosovës.
“Këto vaksina mbrojnë si nga virusi fillestar që shkakton COVID-19 ashtu edhe nga varianti Omicron. Gjithashtu, ndihmojnë në rivendosjen e mbrojtjes që është zbehur me kalimin e kohës dhe ofrojnë mbrojtje më të gjerë kundër varianteve më të reja të virusit. Për të vazhduar mbrojtjen kundër COVID-19, sigurohuni të merrni dozën bivalente përforcuese, të tretë ose të katërt!”, ka informuar MSh.
Kush mund të vaksinohet me dozën bivalente përforcuese?
Vaksina bivalente Pfizer është e autorizuar si një dozë e vetme përforcuese për individët 12 vjeç e lart.
Edhe pse vaksina bivalente kundër COVID-19 me variantet Omicron është aprovuar për përdorim te personat e moshës 12 vjeç e lart, si një dozë e vetme përforcuese, sipas komunikatës, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike këshillon që me doza përforcuese bivalente të vaksinohen me prioritet personat mbi 60 vjeç, punëtorët shëndetësor, ata me imunitet te komprometuar (nga mosha 12 vjeç) dhe gratë shtatzëna.
Vaksina bivalente përforcuese kundër COVID-19 mund të bashkë-administrohet me vaksina të tjera, duke përfshirë vaksinën kundër gripit.
Kur mund ta marrin qytetarët dozën bivalente përforcuese?
Doza bivalente përforcuese mund të merret kur kanë kaluar së paku dy muaj nga doza e dytë ose e tretë kundër COVID-19.
Doza bivalente përforcuese mund të merret vetëm si dozë përforcuese – e tretë ose e katërt, e jo si dozë e parë ose e dytë.