23-11-2024

Nis mësimi, policia me apel për kujdes në trafik

Me rastin e fillimit të gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor 2019/2020 në shkollat fillore dhe të mesme, Policia e Kosovës uron një vit të mbarë dhe të suksesshëm të gjithë nxënësve, prindërve dhe personelit arsimor, si dhe me këtë rast u bënë thirrje të gjithë pjesëmarrëseve në trafik për shtimin e kujdesit gjatë lëvizjes në rrugë.

Kjo thirrje për rritjen e sigurisë në rrugë, në radhë të parë iu drejtua drejtuesve të mjeteve që të kenë parasysh prezencën e nxënësve në rrugë veçanërisht në zonat afër objekteve shkollore, të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut në mënyrë që të rritet siguria për nxënës gjatë lëvizjes nga shtëpia në shkollë dhe anasjellas.

 

Nga nxënësit dhe këmbësorët e tjerë gjithashtu kërkohet kujdes dhe vëmendje e shtuar dhe këshillohen që mos të ecin nëpër shirita qarkullues por të ecin nëpër trotuare, ndërsa për kalimin e rrugës të shfrytëzojnë vendkalimet e shënuara për këmbësorë.

 

Në ato pjesë të rrugës ku nuk ka trotuare, policia rikujton se këmbësorët duhet lëvizin pranë skajit të rrugës në anën e majtë të drejtimit të lëvizjes, të mos bartin kufje në vesh dhe të jenë të kujdesshëm gjatë ecjes.

“Duke pas parasysh se ndodhemi në sezonin dimëror kur mbizotërojnë temperaturat e ulëta të cilat mund të përcjellën me reshje bore dhe ngrica në rrugë, rrjedhimisht këta faktorë kanë ndikim në shtimin e aksidenteve dhe vështirësive në qarkullim. Për siguri të fëmijëve udhëzohen prindërit që t’i shoqërojnë fëmijët e tyre të vegjël  nga shtëpia deri në shkollë dhe anasjellas si dhe të kenë kujdes që veshja e fëmijëve të jetë e përshtatshme për këtë sezon dhe të përmbajë materiale reflektuese për tu vërejtur më lehtë nga pjesëmarrësit tjerë në trafik”, thekson Policia e Kosovës.

Në rast se transporti i nxënësve bëhet me automjete, të mos pengohet qarkullimi i trafikut me ndalje të parregullta në rrugë apo në hyrje-dalje të shkollave, por t’i shfrytëzojnë hapësirat e përshtatshme apo ndonjë vend parkim në afërsi të shkollës.

Policia e Kosovës paralajmëron masa ligjore ndaj atyre të cilët bëjnë shkelje të ligjeve dhe rregullave të trafikut dhe me veprime të tilla i rrezikojnë pjesëmarrësit apo e pengojnë qarkullimin e trafikut.

Asnjë koment

Comments are closed.