Nisma hap fushatën në Prizren me homazhe te Monumenti i Lirisë dhe shtatorja e Remzi Ademajt
Kandidatët për deputetë të degës së Nismës Socialdemokrate në Prizren, fushatën paraelektorale e kanë nisur me homazhe te Monumenti i Lirisë dhe shtatorja e heroit, Remzi Ademaj, duke theksuar se i qëndrojnë besnik mbrojtjes së vlerave kombëtare.
Kryetari i degës së Nismës dhe njëherësh kandidati për deputet, Zafir Berisha, sipas njoftimit të këtij subjekti politik, ka pohuar se këto vendtakime paraqesin simbole të lirisë, mbrojtjes së vlerave kombëtare dhe të ruajtjes së identitetit të shtetit.
“Në këtë fushatë zgjedhore ne po futemi me një frymë të socialdemokracisë të shtrirë në çdo shtëpi të çdo lagjeje e fshati të Prizrenit, dhe me gatishmërinë më të madhe për t’i dalë në mbrojtje vlerave kombëtare”, ka thënë Berisha.
Ai ka bërë ftesë qytetarëve që të rreshtohen me çlirimtarët në mbrojtje të vlerave kombëtare.
“Kauza jonë në mbrojtje të vlerave kombëtare po gjen përkrahje anekënd Kosovës, andaj nga këtu i bëj thirrje gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, e në veçanti qytetarëve të Prizrenit, të rreshtohen përkrahë çlirimtarëve dhe të dalin në mbrojtje të vlerave kombëtare, sepse ne asnjëherë nuk kemi ndërmarrë nisma joserioze, prandaj si çdoherë, edhe më 14 shkurt do të dalim triumfues”, ka deklaruar Berisha.