Sekretari i Përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi, ka përshëndetur vendimin e KQZ-së për të rinumëruar mbi 303 vendvotime.
Ai ka thënë se Nisma me kohë ka treguar se ka gabime në formularë dhe sot më në fund edhe KQZ e ka pranuar.
“KQZ më në fund pranoi gabimin dhe ka pranuar se kemi gabime në formularë, që siç i quajnë ata gabime teknike. Gabime teknike që kanë prodhuar gabime në bartjen e të dhënave në formularë. Na vjen mirë që përkundër faktit që njëherë kanë refuzuar ta trajtojnë si problem. Jemi të kënaqur me fillimin e pranimit të gabimit. Ky vendim duhet të merret në tërësi, sepse e vërteta e plotë është brenda kutive të votimit”, ka thënë Sherifi në një konferencë për media.
Më tutje, ai ka thënë se NISMA nuk e konteston rregullsinë e daljes në zgjedhje, por thotë se kur ka filluar bartja e votave në formularët e rezultateve aty janë bërë gabime që rrezikon vërtetësinë e të dhënave.