Një 18 vjeçar nga Opoja e Dragashit humbi jetën tra3gjikisht në aksident në Austri
Një i ri shqiptar nga Kosova, me inicialet Y.Z., ka humbur jetën në Austri si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ndodhi në rajonin Urfahr-Umgebung, pas përplasjes së një veture me një kamion.
Një aksident i rëndë me pasoja fatale është regjistruar sot në Austri, ku ka ndërruar jetë një 18-vjeçar shqiptar nga Kosova, me inicialet Y.Z, njoftoi Albinfo.at.
Sipas burimeve brenda redaksisë së Albinfo.at, viktima ishte i lindur në Linz të Austrisë, ndërsa rrjedh nga një familje shqiptare me origjinë nga Opoja, konkretisht nga fshati Kuk.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në Zwettl an der Rodl, në rajonin Urfahr-Umgebung, ku rreth mesditës në rrugën B126, një veturë është përplasur me një kamion në një kthesë të djathtë.

Si pasojë e përplasjes së fuqishme, drejtuesi i veturës, 18-vjeçari shqiptar, ka mbetur i vdekur në vend, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për ta rikthyer në jetë.
Nga ky aksident ka mbetur i lënduar edhe shoku i tij, i cili sipas informatave është shtetas rumun.

Rrethanat e aksidentit janë ende duke u hetuar nga autoritetet austriake, ndërsa lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe tek familjarët dhe komuniteti shqiptar në Austri./Albinfo.at

