Një 35-vjeçare vdes në rrethana të paqarta në komunën e Suharekës
Një rast tragjik ndodhi sot paradite në fshatin Krushicë e Epërme të Suharekës, ku një 35-vjeçare ka vdekur në rrethana dhe për motive ende të panjohura.
Sipas Policisë Rajonale në Prizren, rasti ndodhi rreth orës 11:00, ku sipas deklaratave të familjes, gruaja ishte rrëzuar nga shkallët dhe kishte mbetur pa ndjenja, raporton Gazeta e Prizrenit
Viktima është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe aty rreth orës 11:50, ka ndërruar jetë.
“Është bërë shikimi i vendit të ngjarjes dhe dyshohet se viktima ka rënë nga ballkoni i shtëpisë në lartësi rreth 6 metra. Policia është duke kryer hetimet për rastin, ndërsa në konsultim me Prokurorin është iniciuar rast”, konfirmoi për Gazetën e Prizrenit, Shaqir Bytyqi nga Policia e Prizrenit.
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i të ndjerës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.