24-11-2024

Një delegacion i disa bizneseve amerikane vizituan Prizrenin

Një delegacion i disa bizneseve amerikane, po qëndron në vizitë vendit tonë, me ç’rast të mërkurën është vizituar komuna e Prizrenit ku është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre amerikane, si dhe për hapjen e Muzeut Hebraik në këtë komunë.

Delegacioni i bizneseve amerikane, i cili po shoqërohet nga Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqia, të mërkurën janë pritur nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka. Pas takimit, para medieve, kryetari Haskuka tha se me mysafirët e tij , ka bashkëbiseduar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve prizrenase dhe atyre amerikane, si dhe për mundësinë e investimit të këtyre të fundit në këtë komunë.

Konsullja, Teuta Sahatqia, tha se bizneset amerikane janë tejet të interesuara për të ushtruar veprimtaritë e tyre sidomos në Qendrën për Inovacion dhe Trajnime, në hapësirat i ish kampit të KFOR-it. Themeluesi dhe Shefi Ekzekutiv i kompanisë amerikane MD Squared Property Group, Michael Mintz, në emër të këtij delegacioni, tha se kapacitetet e të rinjve dhe ndërmarrësve në Kosovë si dhe talenti i tyre janë të jashtëzakonshëme, dhe se atyre duhet dhënë mundësi që të veprojnë dhe jetojnë në shtetin e tyre, dhe se nuk kemi ardhur këtu vetëm për çështjen e hapjes së Muzeut Hebraik.

” Ne këtu nuk kemi ardhur që të shprehim interesimin tonë vetëm rreth hapjes së Muzeut Hebraik në Prizren. Gjatë këtyre ditëve sa ndodhemi në Kosovë, kemi pasur takime me afaristë në Prishtinë të cilët janë nga Prizreni, dhe ata janë shumë të interesuar që të ushtrojnë veprimtaritë e tyre afariste këtu. Gjatë këtyre takimeve ne kemi vërejtur se , kapacitetet e të rinjve dhe ndërmarrësve si dhe talenti i tyre janë të jashtëzakonshëm, dhe se atyre duhet dhënë mundësi që të veprojnë dhe jetojnë në shtetin e tyre, e jo të braktisin Kosovën. Një mundësi e mirë për këtë është padyshim funksionalizimi i Qendrës së Trajnimeve dhe Inovacionit në komunën tuaj”, tha ai.

Më pas, i është bërë një vizitë e përbashkët e delegacionit të bizneseve amerikane dhe drejtuesve të komunës së Prizrenit, ish kampit të KFOR-it ku pritet së shpejti të funksionalizohet Qendra e Trajnimeve dhe Inovacionit në këtë komunë./tvprizreni.info/

Asnjë koment

Comments are closed.