Një javë aktivitetesh për përvjetorin e gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren (FOTO)
Kremtimin e 78-vjetorit të themelimit të gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, do ta karakterizojë një javë aktivitetesh, përfshirë shumë ekspozime të punimeve të nxënësve, titulluar “Unë janë gjimnazist”, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Ky gjimnaz është njëra ndër shkollat elitare në Kosovë, që ka rreth 2.300 nxënës përfshirë edhe paralelet në terren, si në Gjonaj, Ramajë dhe Reçan. Pas gjimnazit “Sami Frashëri” të Prishtinës, gjimnazi “Gjon Buzuku” është shkolla e dytë për nga numri i nxënësve në vend.
Një numër i madh i kuadrove të Prizrenit, kanë qenë pjesë e kësaj vatre të diturisë.
Në kuadër të shënimit të 78-vjetorit, nga e hëna ka filluar java e aktiviteteve, përfshirë panairin e ëmbëlsirave dhe atë shkencor, ekspozitën në arte, ndërsa pikërisht në ditën e 21 marsit, që përkon më fillimin e stinës së pranverës, do të bëhet edhe mbjellja e luleve.
Ekspozimet e punimeve janë bërë nga nxënësit të përkrahur edhe nga mësimdhënësit e tyre, për të dëshmuar në praktikë njohuritë e fituara nga teoria. Me gatimin, mbledhjen dhe shitjen vullnetare të ëmbëlsirave, nxënësit e këtushëm disa herë kanë dëshmuar shpirtin human të tyre, pasi mjetet janë dedikuar për bamirësi, ndërsa ëmbëlsira janë dhuruar edhe për disa institucione si “Down Syndrome Kosova-Prizren”, etj.
Duke përmendur sukseset e fundit të nxënësve, u.d i drejtorit, Jeronim Susuri veçon ato në garën për esenë më të mirë në nivel komunal, përshirë edhe atë në Bashkinë e Beratit të Shqipërisë, të nxënëses Alma Mashkulli, që ka zënë vendin e parë, pastaj suksesin e grupit të nxënësve në pikturë, që në nivel komune po ashtu ka zënë vendin e parë, derisa një grup i nxënësve nga komunitetit boshnjak që kishte aplikuar me vetiniciativë ka fituar një projekt simbolik.
Maturantja Zana Hoxha, tha se aktivitetet e nxënësve në fushat shkencore, kanë për qëllim paraqitjen në praktikë të shumë njohurive të fituara në këtë nivel shkollimi.
Ndryshe, java e aktiviteteve kushtuar përvjetorit të themelimit mbyllet të premten, me një manifestim kulturor, në Shtëpinë e Kulturës në Prizren./GazetaePrizrenit.net