04-08-2025

Një muaj paraburgim ndaj Granit Paçarizit nën dyshimin për lëndim trupor, kanosje e dëmtim të pasurisë

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të pandehurit Granit Paçarizi, i dyshuar për rrahjen që ndodhi më 29 korrik në Prizren.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Fitore Mehmeti-Sejrani, zëdhënëse e Prokurorisë së Prizrenit, e cila bëri të ditur se Paçarizi dyshohet për “Lëndim të lehtë trupor”, “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë” dhe “Kanosje”.

“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë së Prokuroria Themelore në Prizren, me datë 01 Gusht 2025 me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë të pandehurin G.P., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321 dhe “Kanosja” nga neni 181, sipas Kodi Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për të njëjtin, prokuroria brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Gjykata Themelore në Prizren, e ka aprovuar kërkesën e prokurorisë, dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh”, thuhet në përgjigjen e Mehmeti-Sejranit.

Policia kishte njoftuar më 29 korrik se rasti ka ndodhur në rrugën “Reshat Karajkdiu”, teksa i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

 

“Me datë 29.07.2025, rreth orës 15:00, në rrugën “Reshat Karajkdiu”, policia ka pranuar informatën për një rast të rrahjes mes disa personave. Patrullat policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe në vendin e ngjarjes është kontaktuar viktima, i cili është dërguar në Emergjencën Spitalore për trajtim mjekësor”, kishte konfirmuar Policia.

Ndryshe, Granit Paçarizi në vitin 2017 ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Ferizaj për veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje” dhe u dënua me dënimi unik në kohëzgjatje prej dy vite e gjashtë muaj burgim efektiv.

Ish-Presidentii Hashim Thaçi me një dekret të 27 nëntorit të vitit 2019 kishte falur tre persona të dënuar, mes tyre edhe Paçarizin, të cilit i ishte falur një vit burgim. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.