Një punëtor pëson lëndime të rënda në kokë në punishte në Has
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten në fshatin Lubizhdë e Hasit në Prizren, ku një punëtor ka pësuar lëndime serioze në vendin e punës, për çka tashmë është nën trajtim intensiv në QKUK.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rreth orës 13:00 të datës 20 qershor 2025, Policia është njoftuar për një të lënduar rëndë gjatë punimeve ndërtimore. Z.K., rreth 46-vjeçar, punëtor i firmës “Adioni Group SHPK”, ka marrë goditje në kokë nga një shtyllë druri rreth 6 metra e gjatë, e cila ka rënë nga tavani i një objekti ndërtimor.
Fillimisht ai është dërguar në Spitalin e Gjakovës, por për shkak të lëndimeve të rënda është transferuar në QKUK-Prishtinë. Gjendja e tij shëndetësore është e rëndë, konfirmojnë burimet mjekësore.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Sektori i Hetimeve Rajonale të Prizrenit, njësia e krimteknikës, si dhe inspektorët e punës, të cilët kanë kryer këqyrjen e vendit të incidentit.
Sipas hetimeve fillestare, kompania nuk kishte respektuar të gjitha standardet e sigurisë në punë. Për këtë arsye, është iniciuar rasti “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” ndaj pronarit të kompanisë, Fitim S. rreth 41-vjeçar, i cili për momentin ndodhej në QKUK përkrah viktimës dhe nuk është intervistuar ende.
Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet janë në kontakt të vazhdueshëm me mjekët për të përcaktuar rrjedhën e mëtejme të veprimeve ligjore.
Lexo edhe:
Prizren: Prokuroria kërkon paraburgimin e zyrtares komunale të urbanizmit për keqpërdorim