23-11-2024

“Një shqiptar në CIA” përurohet në Prizrenin e kryepersonazhit të librit

Prizreni, qyteti i Destan Berishës, ku qëndroi edhe i burgosur kryepersonazhi i librit “Një shqiptar në CIA”, të shtunën ishte nikoqir i përurimit, ngjarje kjo që tuboi krijues, zyrtarë të institucioneve më të larta të vendit, publicistë, miq e dashamirë të librit dhe autorit, Bashmir Xhemaj, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Folësit ndër tjera vlerësuan librin si të rrallë, pasi bën fjalë për një shqiptar që u rreshtua përkrah Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA) pas Luftës së Dytë Botërore, derisa është vlerësuar lartë stili i shkrimit, rrëfimi për kryepersonazhin dhe numri i madh i burimeve arkivore të përdorura.

Fotografia e Bashmir Xhemaj

Krijuesi Petrit Palushi nga Kukësi, tha se libri “Një shqiptar në CIA” trazon ujëra, e në anën tjetër kjo tregon se Amerika edhe më herët e kishte në vëmendje Shqipërinë. “Libri në të cilin autori ka ditur të rrëfejë, tregon për një njeri që njihej me dy emra Destan Berisha dhe Destan Billusha, që u bë kryepersonazh i veprës për shkak të historisë deri tash të panjohur për shumëkënd”, tha ai, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

“Një ngjarje e veçantë që paraqitet  në libër, është përcjellë përmes një pune profesionale, të bërë në mënyrë brilante duke i bërë të flasin faktet”, ka vlerësuar zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj.

Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, ndër tjera tha se libra të tillë po i mungojnë librarive tona si private dhe institucionale, të cilat tashmë do të jenë më të pasura.

Fotografia e Altera

Autori i librit, Bashmir Xhemaj, ndërkaq tha se kur e lexon librin kupton se qysh herët kishte diçka gjenetike mes shqiptarëve dhe  Amerikës, ndërsa tregoi se operacioni i parë kur po formohej CIA ishte Shqipëria, por që kjo është mbajtur sekret. Ai tha se libri është mbështetur në arkiva të CIA-së dhe shumë burime të tjera arkivore e intervista në Kosovë, Shqipëri, Amerikë, Gjermani, Angli dhe Greqi.

Emocionale ishte pjesa e citimit nga autori të një letre, të cilën Destan Berisha ia kishte dërguar në vitet ’90-ta të shekullit të kaluar, botuesit të revistës “Gurra” Sheradin Berishës, në të cilën ndër tjera kishte treguar se pleqëria dhe malli për vendlindjen po ia rëndonin jetën.

Ndryshe libri “Një shqiptar në CIA – dy jetët e Destan Berishës” ka zgjuar interesimin e shumë lexuesve kudo në Kosovë.

Përurimi në Prizren, që u bë në librarinë “Altera”, e cila ka krijuar një kënd të posaçëm për ngjarje të tilla, duke i dhënë një hapësirë lexuesve të kësaj ane, është i dyti pas atij që është bërë ditë më parë në Prishtinë. /GazetaePrizrenit.net/

Fotografia e Bashmir Xhemaj

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.