Një vendvotim në Prizren shkon në rinumërim
Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbajtur mbledhjen e radhës ku është diskutuar raporti i Qendrës për Numërim të Rezultateve.
Burim Ahmetaj nga QNR ka thënë se janë konfirmuar mbi 24 mijë vota me kusht.
“Në QNR me 24 tetor ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht gjithsejtë 26 mijë e 382 vota me kusht, prej tyre 24.804 janë të konfirmuara dhe 1 mijë e 705 vota janë të refuzuara. Deri në orën 24:00 të ditës së djeshme janë numëruar 27.35 për qind të këtyre votave. Lidhur me votat me postë ne kemi 3134 vota me postë, ku prej tyre 3104 janë të vlefshme. Sa i përket futjes së të dhënave kemi pasur procese të vazhdueshëm të rinumërimit. Vazhdimisht në databazë reflektojke se disa vendvotime nuk kanë mundur të kalojnë për shkak të mospërputhjes. “, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.
Ahmetaj ka thënë se nga 530 vendvotime që janë rinumëruar duhet të rinumërohen edhe tri të tjera.
“Nga 530 vendvotime ka qenë disa vendvotime që nuk përputheshin dhe nuk hynin në bazën e të dhënave. Pas të gjitha kontrolleve më të thella janë tri vendvotime ku kemi mospërputhje të votave. Dy janë në komunën e Podujevës dhe një të në komunën e Prizrenit, ku natyra është e njëjtë për ato që janë rinumëruar më parë. Andaj rekomandimi është që tri vendvotime duhet të rinumërohen, ndërsa një vendvotim tjetër është më specifik në bazën e të dhënave ku proceduralisht është në rregull aty. Vendvotimi në fjalë tek rubrika ku thotë për fletëvotimet e dëmtuara, është për shkak të një natyre tjetër që ka shkuar në rinumërim, por mungojnë 450 fletëvotime këtu dhe ku në libri e evidentimit komisionerët kanë shkruar se janë vjedhur”, ka thënë ai duke shtuar se ky vendvotim nuk mund të kalojë në bazë të të dhënave.
“Rekomandimi ynë është që ky vendvotim të mos përfshihet në rezultat. Gjithë materiali ka përfunduar. Më nuk mund të pranojmë materiale tjera. Në këtë vendvotim 750 janë dorëzuar, 450 mungojnë nuk janë brenda kutisë së votimit, një është i dëmtuar, 299 janë brenda kutisë së votimit, ku 13 janë të pavlefshme dhe 286 vota të vlefshme. Mirëpo mungesa e fletëvotimeve të papërdorura na jep tejkalimin e tolerancës për 450. Pra sistemi në gjendjen siç është nuk e lejon të kaloj ky vendvotim por gjendja nuk do të ndërroj në asnjë rrethanë. Rekomandimi ynë është që të hiqen nga rezultati i votave ky vendvotim”, ka thënë Ahmetaj.
Kryetarja e KQZ-së ka thënë se ky vendvotim ka shkuar edhe në PZAP dhe edhe Prokuroria është e informuar.
“Është vendvotim i dyshimtë. Ne nuk e dimë kush i ka mbushur ato fletëvotime. Në një vendvotim ku mungojnë 450 fletëvotime dhe nuk e dimë se ku kanë shkuar atëherë është çështje tjetër”, ka thënë ajo.
Adnan Rrustemi nga LVV ka thënë se duhet të verifikohet dhe të sillet informacion më i gjerë.
“Sa për të mos marrë vendim KQZ kisha kërkuar që të verifikohet dhe të sjellët informacion më i detajuar dhe të merret një vendim ditëve në vazhdim. Nuk duhet të trajtohet vetëm në rastin që nuk e lejon sistemi”, ka thënë ai.
Edhe Sami Hamiti nga LDK ka thënë se nuk duhet ngutur lidhur me këtë vendim.
“Duhet trajtuar më gjerë këtë vendvotim, nuk mund t’ua hupim të drejtën atyre që kanë votuar, nuk është e lehtë. A ka mundësi të shkohet në rinumërim”, ka thënë ai.
Ndërsa ka pasur edhe kërkesa për informacione për votat e ardhura nga Serbia dhe diaspora.
Sami Hamiti nga LDK në këtë mbledhje ka kërkuar informacion për votat e ardhura nga Serbia.
“Nuk kam marr asnjë informacion rreth procesimin e votave të ardhura nga Serbia se si ka ndodhë. Nuk kemi pasur as një informatë ndaj anëtarëve të KQZ-së se çfarë ka ndodhur nga ato vota. E keni marrë kërkesën time po s’keni dashur të informoni. Arsyetimi i kryeshefit është qesharak. Niveli i komunikimit me email ka qenë gjithmonë”, ka thënë Hamiti.
Po ashtu edhe Adnan Rrustemi ka kërkuar informatë për 4500 zarfet e mërgatës.
“Kam kërkuar në vazhdimësi të procedohen 4500 zarfe të ardhura nga mërgata që kanë arritur pas datës së zgjedhjeve. Kërkoj informatë nga sekretariati mbi gjendjen e këtyre zarfeve a janë verifikuar, ku për të njëjtat kemi paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme”, ka thënë ai./Telegrafi