24-11-2024

Njësia për Ndërhyrjen e Shpejtë e Policisë së Kosovës patrullon me barka lundruese në Ujman

Njësia për Ndërhyrjen e Shpejtë e Policisë Kufitare të Kosovës ka patrulluar me barka lundruese në liqenin e Ujmanit në veri të vendit.

Policia njoftoi në Facebook se “po vazhdon me përkushtim dhe profesionalizëm në realizimin e detyrave të përgjithshme të saj ku përfshihen: mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve, mbrojtja e të drejtave dhe lirive njerëzore pa dallim, parandalimi i rrezikut, hetimi dhe zbulimi i veprave penale etj, deri tek menaxhimi i kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës”.

“Në këtë fushëveprim në funksion të menaxhimit efikas dhe efektiv të kufirit shtetëror Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Ndërhyrjen e Shpejtë (NJNSH)e Policisë Kufitare të Kosovës me zyrtarët e saj sot ka realizuar patrullim me barka lundruese në liqenin e Ujmanit”, njoftoi Policia.

“Patrullime të tilla të Policisë së Kosovës, përveç mbikëqyrjes së kufirit ujor parandalojnë edhe veprat penale në kufij, ofrojnë sigurinë territoriale të ujërave, parandalojnë kalimet ilegale, kontrabandimin e mallrave, peshkimin ilegal si dhe ofrojnë mbrojtjen ekologjike ujore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia thotë se “mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë së përgjithshme në vend dhe menaxhimin e kufirit shtetëror, bazuar në mandatin e saj kushtetues dhe ligjor”.

Po në liqenin e Ujmanit, KFOR-i njoftoi sot se kreu disa stërvitje specifike për rreth katër orë.

Asnjë koment

Comments are closed.