Njohësit e drejtësisë s’parashohin që këtë vit të nisë punën Byroja për Konfiskimin e Pasurisë
Njohësit e çështjeve të drejtësisë, janë shprehur skeptikë se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë se Pajustifikueshme, do të funksionalizohet gjatë vitit 2023.
Nisjen funksionimit të Byrosë pritet ta shtyjë edhe më shumë, dërgimi i projektligjit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nga ana e PDK-së.
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, tha për Ekonomia Online se kanë shprehur pakënaqësitë dhe kundërshtimet e tyre në lidhje me formën e përzgjedhjes së drejtorit të Byrosë, me një shumicë të thjeshtë nga ana e Kuvendit të Kosovës.
“Ne kemi shprehur edhe pakënaqësitë dhe kundërshtimet tona në grupin punues edhe në Kuvend për draftimin e këtij projektligji dhe që kryesorja ka qenë në raport me përzgjedhjen e drejtorit të Byrosë. Kjo për faktin se sipas ligjit që tani është miratuar përcaktohet që drejtori i ri i Byrosë do të propozohet nga një organ kolegjial përmes 5 anëtarëve, 4 të cilët janë të zgjedhur nga institucionet e ndryshme politike dhe që ky institucion vetëm do ta propozojë drejtorin e ri dhe që drejtori i ri më pastaj do të përzgjidhet me shumicë të thjeshtë nga ana e Kuvendit të Kosovës”.
Kjo zgjidhje, nga IKD-ja vlerësohet se nuk është adekuate dhe nuk është treguar e suksesshme në Kosovë. “Nuk mund të themi që përzgjedhja e drejtorit ka pavarësi objektive si proces i tërësishëm për shkak se ka implikim të konsiderueshëm të spektrit politik në përzgjedhjen e drejtorit”, tha ai për EO.
Ai tha se për faktin që ky projektligj ka shkuar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, Byroja nuk pritet që të fillojë punën e saj gjatë këtij viti.
“Ky projektligj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim është se i njëjti nuk do të hyjë në fuqi deri në momentin kur do të vendos Gjykata Kushtetuese dhe vetëm pasi të vendos Gjykata Kushtetuese i njëjti do të shkojë për dekretim tek presidentja. Nuk pritet që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim të shpejtë përkundër faktit që përcaktohet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese se Gjykata duhet që të vendos për këto raste brenda 60 ditëve. Në bazë të këtyre llogaritjeve nuk besoj se mund të ketë rezultate nga Byroja gjatë këtij viti”, tha ai.
Preteni: Konfiskimin e pasurisë ka mundur ta bënte Agjencia Kundër Korrupsionit
Ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha për EO se nga përvoja e tij në formimin e një institucioni të këtillë (ai ka qenë drejtori i parë i AKK-së) shpreson që nuk do të shkojnë edhe dy vite deri në formimin e Byrosë.
Ai tha se qëndrimi i më hershëm i tij ka qenë që nuk ka pasur nevojë që të formohet një institucion i ri, por konfiskimin e pasurisë ta bëjë Agjencia Kundër Korrupsionit, e cila është funksionale qe 15 vjet.
“Prej viti 2021 deri vitin 2023, gati dy vite është iniciativa prej nismës së parë kur ka kaluar në qeveri ligji, e më pastaj edhe në Kuvend në leximin e parë, tash i dyti; edhe uroj që të mos kaloj edhe dy vite të tjera deri në funksionalizimin e saj. Qëndrimi im fillestar ka qenë që më mirë kishte qenë që një pjesë të punës ose të mos formohet një institucion i ri po këto aktivitete, këtë punë, konfiskimin e pasurisë ta bëjë Agjencia Kundër Korrupsionit e cila tani është funksionale tash e 15 vjet”, tha ai.
Ai tha se kjo Byro është duke shkuar një hap më shumë dhe cak i saj nuk janë vetëm zyrtarët e lartë, por secili nga zyrtarët që janë në detyrë nga viti 2008 dhe që kanë përfunduar mandatin ose që nuk është në detyrë në 10 vitet e fundit.
“Sidoqoftë Byroja po shkon në një hap më shumë nuk po i përcakton vetëm zyrtarët e lartë, po secilin nga zyrtarët që janë në detyrë nga viti 2008 dhe që kanë përfunduar mandatin ose që nuk është në detyrë në 10 vitet e fundit”.
“Mendoj që faktori kohë nuk është duke shkuar në favor të kësaj. Për të formuar një institucion është shumë problem, sepse së pari për Byronë duhet që të gjendet lokacioni, pastaj të fillojnë të punësohen zyrtarët, të emërohet drejtori. Kështu që shkon një kohë e gjatë derisa të formohet një institucion. Pastaj vijnë ato barrierat të tjera që duhet të ketë shumë kujdes në përpilimin e legjislacionit sekondar që janë rregulloret edhe shikojmë që veprimet e Byrosë a do të bien ndesh më legjislacionin tjetër”, tha ai.