21-12-2024

Nrecaj: 68 për qind e ankesave në OSHP shqyrtohen dhe merret vendim jashtë afatit ligjor

Pas publikimit të të gjeturave në raportin “Performanca e OSHP-së” Efikasiteti i ulët në shqyrtimin e ankesave, drejtoresha e organizatës INPO, Albulena Nrecaj, ka thënë se nuk ka dallim prej vitit të kaluar bazuar në raportin e publikuar po ashtu në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit.

Ajo ka thënë se mesatarja e zgjidhjes së ankesave është 64 ditë në panele individuale, ku sipas ligjit janë 34 ditë afat për zgjidhje të ankesave.

Nrecaj ka thënë se 68 për qind e ankesave në OSHP shqyrtohen apo merret vendimi jashtë afatit ligjor.

“Nuk është që ka ndonjë përmirësim ose ndonjë avancim më raportin e vitit të kaluar. Ku siç e dini në Javën Kundër Korrupsion të vitit 2023, INPO kishte publikuar një raport të ngjashëm të matjes së performancës së punës së OSHP-së, ku të dhënat pak a shumë janë të ngjashme”, ka deklaruar ajo.

Nrecaj theksoi se edhe pse ka kaluar një vit, që kur INPO, IKD e FOL, kanë dorëzuar rekomandimet për amandamentimin e Rregullores së punës së Organit Shqyrtues të Prokurimit, kjo e fundit akoma nuk ka ndërmarrë asnjë hap.

“Ne të tri organizatat që e kemi organizuar këtë event, INPO, IKD e FOL, kemi dorëzuar edhe komente sa i përket rregullores së punës, por që deri më sot nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje mbi statusin e atyre komenteve të cilat i kemi dhënë, por po ashtu nuk ka pasur ndonjë zhvillim rreth amadamentimit të rregullores”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, Rregullorja aktuale e OSHP-së nuk ka ofruar asjnë lloj efikasiteti në shqyrtimin e lëndëve në OSHP.

Nrecaj ka thënë se ka ndikuar negativisht edhe dorëheqja e kryetares së OSHP-së që është bërë notere.

Ajo ka thënë se edhe sot Bordi i OSHP-së është i pakompletuar.

“Aspektet kur jep dorëheqje një anëtar i Bordit ose kur kryetari i Bordit të OSHP-së, kush e zëvendëson dhe si organizohet mandej puna në OSHP. OSHP është duke funksionuar sipas parimit “t’u pa, t’u bo” me u nxjerrë prej situatës, por nuk është që Qeveria apo Kuvendi kanë ndikuar me politika apo me ndonjë vendimmarrje ndryshe për ta vendosur ligjshmërinë e udhëheqjes në këtë Bord dhe për ta rritur efikasitetin”, ka deklaruar ajo. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.