Nuk ishin zbuluar nga inteligjenca – Serbët e ndaluar në Prizren ja si u “zbuluan”
Përballë pretendimeve të autoriteteve për “syçeltësi” dhe kontroll të situatës, burime të Gazetës Sinjali zbulojnë se ndalimi i shtetasve serbë në Prizren nuk erdhi si rezultat i ndonjë operacion të strukturuar nga institucionet e sigurisë, por pas një njoftimi të rastësishëm nga Policia e Gjakovës.
Ngjarja ka filluar më 5 prill 2025, kur një veturë me targa të Serbisë dhe katër persona brenda u ndalua në rajonin e Gjakovës për shkak të tejkalimit të shpejtësisë. Gjatë kontrollit, u zbulua material sensitiv, që ngriti dyshime serioze mbi aktivitetin dhe misionin e këtyre personave në Kosovë.
Në bazë të informacioneve operative, u dyshua se pjesë e këtij grupi ishin edhe tre vetura të tjera, po ashtu me targa të Serbisë, të cilat kishin vazhduar në drejtim të Prizrenit.
Lexo edhe:
Debakli i partisë së Shaqir Totajt, në qendrën e tij të preferuar
Me të marrë njoftimin, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka filluar kërkimin e automjeteve të dyshimta dhe është konstatuar se ato ishin parkuar në oborrin e një objekti fetar (Bogosllovisë) në Sheshin Shatërvan.
Më 6 prill, rreth orës 12:00, të gjitha tri veturat me 12 persona brenda janë ndaluar pranë urës së “Arastës” në Prizren. Ata janë kontrolluar në vend dhe më pas janë shoqëruar në stacionin policor për verifikim dhe intervistim.
Pas procedurës, 10 prej tyre janë liruar në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa dy personat – Lazar Stanojević dhe Stefan Radojević kanë deklaruar se janë pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë (MUP), por nuk kanë pasur dokumentacion për ta vërtetuar këtë pretendim.
Sipas Policisë, dyshohet se ata janë prezantuar rrejshëm si persona zyrtarë, çka ka çuar në ndalimin e tyre me aktvendim për 48 orë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Rasti po trajtohet si “Prezanim i rremë si person zyrtar”, ndërkohë që pyetjet për mënyrën si hynë të gjithë këta persona në Kosovë mbesin pa përgjigje. /Sinjali