25-11-2024

Numërohen 99.16 % e votave, LVV prin me 47.88 %

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar 99.16 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën (dje), të dielën e 14 shkurtit 2021.

Sipas rezultateve në faqen zyrtare të KQZ-së përqindja e votave për katër partitë e para është kjo: LVV 47.88%, PDK 17.36 %, LDK 13.08 %, AAK 7.40 %.

Ndryshe, Kosova një ditë më parë ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, zgjedhje këto që u vlerësuan fer dhe demokratike.

Po ashtu, Policia e Kosovës vlerësoi se procesi zgjedhor ishte i qetë dhe pa incidente serioze.

Dalja në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ishte 45.56 për qind.

Pas reagimeve nga Enver Hoxhaj i PDK-së, Isa Mustafa i LDK-së, sot kanë ardhur edhe reagime e para nga Shqipëria, Bashkimi Evropian etj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar partitë politike në Kosovë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Rama me anë të një shkrimi në Twitter ka thënë se, vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri.

“Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve, LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën, me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik & social”, ka shkruar Rama.

Për zgjedhjet e 14 shkurtit ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, duke thënë se është duke pritur certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 të mbajtura në Kosovë.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi, thuhet se BE-ja pret edhe formimin e Kuvendit dhe qeverisë së re, si dhe zgjedhjen e një presidenti të ri.

“Bashkimi Evropian ka vendosur një Mision të Ekspertëve Zgjedhor (EEM) i cili do të mbetet në Kosovë për të ndjekur procedurat post-zgjedhore gjithashtu dhe për të nxjerrë rekomandime. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me autoritetet, me synimin për të mbështetur Kosovën në arritjen e progresit të prekshëm në rrugën e saj Evropiane”, thuhet në këtë deklaratë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.