28-11-2024

Nxënësi kapet me drogë në shkollën e Xërxës së Rahovecit, intervenon Policia

Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Kjo dukuri nuk i kursen as nxënësit e shkollave fillore e të mesme, të cilët kapen në flagrancë nga punonjësit e arsimit, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar mëngjesin e djeshëm në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Hamëz Thaçi’ në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit.

Sinjali mëson se mësimdhënësja e kësaj shkolle ka vërejtur se një nxënës posedon substanca narkotike dhe për këtë arsye ajo ka njoftuar menjëherë Policinë.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar marihuanën që posedonte me vete nxënësi dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Para hetuesve policorë, i mituri ka deklaruar se narkotikët i ka marrë ngë një person në po të njëjtin fshat dhe si rrjedhojë Policia në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës, kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo s’është gjetur asgjë e dyshimtë.

I dyshuari për shpërndarjen e narkotikëve, po ashtu është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti ‘Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

P.S  Foto nga arkivi

Asnjë koment

Comments are closed.