24-11-2024

Nxënësit detyrohen t’i bëjnë kopje librat që u takojnë falas

Edhe pse janë bërë gati dy muaj qëkur ka nisur viti i ri shkollor, shumë institucione shkollore po ballafaqohen me mungesë të teksteve.

Drejtorë komunalë të arsimit e drejtorë të shkollave e kanë konfirmuar se në disa shkolla ende ka mungesa të librave. Si pasojë e këtyre mungesave nxënësit po i fotokopjojnë librat nga shokët e klasës.

Dhënia falas e teksteve për nxënësit e klasave 1 deri në të 9 rregullohet me udhëzimin administrativ “pajisja e nxënësve me tekste shkollore, përdorimi dhe ruajtja e tyre” i nxjerrë në vitin 2016 nga Ministria e Arsimit. Zyrtarët e MASHT-it nuk u janë përgjigjur pyetjeve të gazetës në lidhje me këto vonesa, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemaili” në Prishtinë, Kimete Konjusha-Dida, ka deklaruar se në këtë shkollë kanë mungesë të teksteve të gjuhës angleze. Ajo ka theksuar se kanë bërë ankesë në MASHT dhe se janë në pritje të sigurimit të librave.

E drejtoresha e shkollës “Gjergj Fishta”, në Prishtinë, Supije Zhitia, ka thënë se në këtë shkollë u janë dërguar librat por jo për të gjithë nxënësit. Disa nga tekstet që u mungojë janë edukata qytetare, gjuhë angleze, gjuhë shqipe, gjeografi, fletore pune etj. Për këtë, sipas saj, kanë shprehur shqetësim edhe prindërit./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.