06-04-2026

OAK “pret në rrënjë” licencat – 7 avokatë jashtë, reagon ashpër për gjuhën fyese ndaj stafit

Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në Odën e Avokatëve të Kosovës, ku disa avokatë kanë humbur të drejtën për ushtrimin e profesionit, si pasojë e mos përmbushjes së detyrimeve statutare.

Sipas njoftimit zyrtar, në zbatim të nenit 61 të Statutit të OAK-së, janë shlyer nga Regjistri i Avokatëve: Beqir Haxhimusa, Driton Dobruna, Ilmi Qorri, Lavdrim Xheladini, Nasuf Hasani, Selim Selimi dhe Xhemajli Brovina.

Siç bëhet e ditur, këto nuk janë vendime diskrecionale, por pasoja që rrjedhin drejtpërdrejt nga ligji dhe aktet normative në fuqi. Mos përmbushja e detyrimeve statutare prodhon efekt juridik të menjëhershëm – ipso jure – në funksion të barazisë dhe rendit profesional.

Ndërkohë, një nga rastet ka tërhequr vëmendje të veçantë edhe për shkak të një audioincizimi të publikuar në media, ku ish-avokati Nasuf Hasani dëgjohet duke përdorur gjuhë të rëndë fyese dhe denigruese ndaj stafit të Odës.

Lidhur me këtë, bëhet e ditur se ndaj tij kishte qenë në zhvillim edhe procedurë disiplinore për shkelje veçanërisht të rëndë, para ndërprerjes së statusit si avokat. Për këtë çështje pritet vendimi i organeve kompetente të Odës.

Përmbajtja e gjuhës së përdorur në audioincizim ka shkaktuar reagime të shumta, duke u cilësuar si thellësisht e papranueshme dhe jashtë çdo standardi profesional e etik.

Oda e Avokatëve ka theksuar se sjellje të tilla nuk mund të relativizohen, nuk mund të arsyetohen dhe nuk do të tolerohen në asnjë rrethanë.

Në fund, OAK ka bërë të qartë se do të vazhdojë të zbatojë rregullat me përpikëri, duke garantuar barazi dhe duke mbrojtur dinjitetin e profesionit të avokatit.

Asnjë koment

Comments are closed.