OBSH rekomandon ilaçet GLP-1 kundër obezitetit tek të rriturit
Të hënën, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka rekomanduar ilaçet kundër diabetit, GLP-1, të përdorën kundër obezitetit tek të rriturit.

OBSH-ja ka deklaruar se GLP-1 mund të jetë pjesë e një strategjie për trajtim afatgjatë që kombinon medikamentet me konsultime rreth dietave të shëndetshme si dhe aktiviteteve fizike, ka raportuar NBC News.
Zyrtarët e OBSH-së, udhëzuesin e kanë publikuar të hënën në gazetën JAMA, duke cekur se ilaçi mund të përdoret në afat të gjatë për trajtim të vazhdueshëm për gjashtë muaj ose më shumë.

“Terapia me GLP-1 nuk përbën vetëm një arritje shkencore, por shënon kapitull të ri në konceptin se si shoqëria i qaset obezitetit, nisur nga perceptimi që kishte në fillim si ‘pasojë e stilit të keq të jetesës’ e deri tek një kompleks i parandalueshëm e sëmundje kronike që ka trajtim”, kanë shkruar zyrtarët.

Sidoqoftë, në udhëzim gjithashtu thuhet se “ilaçi nuk mund të luftojë obezitetin global i vetëm”. Faktorë gjenetikë e mjedisorë si rritja e nivelit të stresit dhe rritja e ekspozimit ndaj ushqimeve të shumë procesuara, kontribuojnë gjithashtu.

Klasa e medikamenteve që po rekomandohen, të njohura si GLP-1, mund ta mundin apetitin e njeriut duke emituar një hormon, i cili i jep sinjale trurit kur njeriu është i ngopur.
Ky ilaç është bërë shumë i popullarizuar përgjatë viteve të fundit si pjesë e një mali me dëshmi që sugjerojnë se mund të ndihmojë në humbje peshe e të ulë rrezikun për telashe shëndetësore që lidhen më obezitetin, të tilla si tensioni i lartë i gjakut e sulmi ne zemër.
Sipas think-tankut KFF, në SHBA, raportohet se 1 në 8 persona është duke marrë medikamentin GLP-1 për humbje peshe si dhe telashin tjetër shëndetësor – diabetin.
OBSH-ja në muajin shtator e ka shtuar medikamentin GLP-1 në listën e barnave esenciale për trajtimin e diabetit, por nuk mund të bënte njësoj për trajtimin e obezitetit, pasi medikamenti, veç vetë, nuk mund ta ndalojë obezitetin.
