24-11-2024

OKB alarmon, shqipja e arbëreshëve të Italisë në rrezik zhdukje

Gjuha shqipe e arbëreshëve të Italisë është në rrezik zhdukje. Ajo është një nga gjuhët e përfshira në projektin e sapo lancuar nga OKB për shpëtimin e mbi 3000 gjuhëve ndër rreth 7000 që janë sot në botë.

Projekti “Endagered Languages Project” i realizuar nga një grup ekspertësh në fushën e edukimit, gjuhës e shkencës të OKB, në bashkëpunim me mjaft universitete të botës dhe motorin e kërkimit Google, ka si synim të mbajë gjallë memorien e së shkuarës përmes gjuhës e të sensibiliziojë opinionin publik botëror mbi problemin e gjuhëve në rrezik zhdukje.

“Me çdo gjuhë që vdes, humbet një trashëgimi e madhe kulturore”, nënvizojnë ekspertët botëror të gjuhës. “Humbet vizioni unik i botës, humbet dëshmia e shekujve të jetës.”

Njohja e ekzistencës së një gjuhe mund të jetë hapi i parë për t’i zgjatur asaj jetën.

Ekspertët e këtij projekti vënë në dispozicion të portalit të tyre materialin e duhur informativ mbi çdo gjuhë në rrezik, si dhe ftojnë partnerë e individë të jenë aktiv në kontributin e tyre në dhënien e informacionit të shkruar e audio viziv për çdo gjuhë në rrezik të lartë zhdukje. Ndërsa motori i madh i kërkimit Google, do të realizoj lancimin e këtij projekti dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të tij në kohë afatgjate.

Sipas projektit “Endagered Languages Project” të OKB, në Itali gjuha e folur nga minoranca etnike arbëreshe është në rrezik zhdukje.

Informacioni i shpërndarë deri më tani nga ekspertët linguistik të këtij projekti, thotë se gjuha arbëreshe është një dialekt i Shqipërisë së Jugut e përdorur nga pakica etnike e arbëreshëve që llogariten të jenë sot nga 100 mijë deri në 200 mijë persona që jetojnë në të gjithë territorin italian përfshirë dhe ishujt. Shumica e arbëreshëve të Italisë është përqendruar në jug të vendit, në Kalabri e Sicili.

Gjuha e arbëreshëve të Italisë është e njohur nga shteti italian dhe e mbrojtur nga ligji 482 i viti 1999. Shpesh herë komunat e arbëreshëve të Italisë kanë kërkuar më shumë fonde nga qeveria italiane për ruajtjen e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat publike.

Në nivel universitar në disa universitete italiane ekziston katedra e gjuhës shqipe si në Universitetin e Napolit, të Palermos, Cozencas, në Bari e La Sapienza në Romë/Shekulli/ GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.