Opinion: “Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar…”
Me këtë titull, nga poezia e të madhit Ali Asllani, po anatomizojmë “turpin institucional” të numërimit të votave të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë. Ngjarje kjo që dëshmoi se nuk kemi të bëjmë me “gabime teknike të paqëllimta apo parregullsi numërimi”, por me “hajni tê orkestruar” dhe krizë të rëndë të integritetit demokratik.
Kur “hale-komisionerët” e partive politike e trajtojnë votën si pronë private dhe jo si sovranitet publik, kur ata e orientojnë votën sipas interesit dhe jo sipas votuesit, problemi nuk është procedural, por është moral, politik dhe shtetëror.
1. Vota nuk është mall.
Kur votat numërohen “sipas dëshirës e preferencës” dhe jo sipas verdiktit të popullit, demokracia reduktohet në pazarllëk. Nuk kemi më proces zgjedhor, por dallavera interesi. Ky është turpi dhe poshtërim i drejtpërdrejtë i qytetarit dhe tallje brutale me sakrificën historike mbi të cilën është ndërtuar shteti i Kosovës, mbi parimin e votës së lirë dhe tê barazisë.

2. Kur “hale-komisionerët” bëhen palë dhe jo garantues të votës.
Sistemi që u krijua për të garantuar korrektësi, barazi dhe besueshmëri është shëndërruar në mekanizëm manipulimi. Kur gjyqtari luan për njërin ekip, tjetri ndeshjen e ka të humbur që në fillim. Ky nuk është defekt teknik, është dizajn i shëmtuar dhe i dështuar institucional dhe kulturë e kalbur politike, ku partitë e shohin shtetin si plaçkë dhe votën si pronë e ku shoqëria rri, duke trajtuar probleme tjera madhore: “Kali i Skenderbeut ishte at apo pelë”…
3. Mosreagimi institucional.
Kur institucionet reagojnë me vonesë, me gjuhë sterile apo me relativizim të turpshëm, ato nuk janë neutrale, janë bashkëpërgjegjëse. Në demokraci, mosveprimi përballë shkeljes është vetë shkelje. Nëse nuk ka përgjegjësi penale, administrative dhe politike, mesazhi është i qartë: manipulimi jo vetëm tolerohet, por shpërblehet.

4. Shkatërrimi i besimit publik.
Një votë e vjedhur dhe e tjetërsuar nuk dëmton vetëm një kandidat, ajo shkatërron besimin në sistem dhe në vetë shtetin. Kur qytetari bindet se vota e tij “dallaverizohet” në zyra, ai largohet nga procesi demokratik dhe kjo është rruga më e shkurtër drejt apatisë, radikalizmit dhe emigrimit politik. Demokracitë nuk shemben vetëm nga grusht shtetet, por edhe nga erozioni i besimit qytetar.
5. Zgjidhja kërkon ndërhyrje të fuqishme institucionale dhe jo kozmetikë politike.
Nuk mjafton vetëm ndërrimi i rregullave duhet:
• ndërruar logjika e sistemit,
• duhet të instalohet “sistemi var” të ketë kontrollë dhe menagjim më të madh dhe më të përgjegjshëm,
• depolitizim real i komisioneve,
• numërim i centralizuar me mbikëqyrje të fortë dhe të pavarur,
• transparencë digjitale në kohë reale,
• dënime maksimale për shkelësit,
• përgjegjësi direkte e partive për veprimet e komisionerëve të tyre.
Pa këto, çdo zgjedhje tjetër është vetëm recidivizëm i ricikluar.
6. Heshtja qytetare është aleate e manipulimit
Asnjë sistem nuk korruptohet pa pajtimin pasiv të shoqërisë. Nëse qytetarët e normalizojnë dallaverizimin e votës, atëherë ata e dorëzojnë sovranitetin pa luftë. Demokracia nuk vdes vetëm nga pushteti i keq, ajo vdes edhe nga qytetaria e lodhur, e heshtur, indiferente dhe pasive.

7. Dallaveret në zyra prodhojnë dallavera në pazar.
Andaj “votëpazaret” dhe vjedhja e votës është paturpësia që nuk njeh kufij, që qon kah shuarja graduale e demokracisë. Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje formale, ka nevojë për zgjedhje reale. Kjo kërkon guxim qytetarë dhe institucional, ndëshkim real dhe ndërprerje të kompromisit e biznisit me krimin elektoral, dhe jo justifikime boshe e arsyetime irituese politike.
Shkruan: Prof. Lulzim Ibri / Prizren
P.S Shkrimet në këtë rubrikë janë shprehje e mendimit të lirë dhe jodomosdo pasqyrojnë qëndrimin e portalit
