Opinion: Mashtrimi dhe cinizmi politik – qytetari nuk është problem, është viktimë
Shkruan: Prof. Lulzim Ibri / Prizren
Kryeministri i vendit tim premtoi lehtësim jetese dhe korrektësi energjetike ndaj qytetarit. Ajo që ndërtoi ishte e kundërta: shtrenjtim sistematik, varfërim i heshtur dhe një diskurs publik i kalbur e përbuzës. Sot, politika energjetike në Kosovë nuk është më fushë reformash siç trumbetohej, është “kanalizim” politik, një “gropë septike” e diskursit publik, ku gënjeshtra riciklohet si sukses dhe dështimi shitet si meritë.
Kur shteti është nën hijen e KEDS-it, kur sillet si vasal dhe i pafuqishëm përballë tij, nuk kemi funksionalitet institucional, kemi inferioritet politik. Energjia, nga një e drejtë themelore shoqërore, është degraduar në instrument shantazhi ekonomik. Kur qytetari rri me batanije në shtëpinë e vet nga frika e faturës, ky nuk është kursim, është varfërim dhe poshtërim institucional.
Na u tha: “Ne do ta synojmë uljen e rrymës, sepse rrimë mbi energji… Sot, kemi rritje të vazhdueshme të rrymës, pasiguri dhe zhvendosje brutale e barrës mbi familjet. Na u tha: Ne nuk paguajmë më me buxhetin e Kosovës për ata që nuk e paguajnë energjinë…” Sot, qytetarët vazhdojnë të paguajnë për ata që nuk paguajnë, ndërsa shteti bën sikur nuk sheh. Na u tha: “Buka, qumështi, sheqeri do të ulen…, Sot: ato u dyfishuan, kurse vezët u kthyen në luks, simbol i varfërimit social.
Pastaj erdhi deklarata më e ndyrë politike: “Qytetarët kanë fantazi, ata po i ngrohin dhomat më shumë se normalja, qytetarët kan qef nxeht…
Ky nuk është lapsus, është mendësi dhe përbuzjeje. Është fjalor i të fortit, jargëzim i nevojës për jetë normale. Është shpërfillje e hapur ndaj dinjitetit njerëzor dhe dhunë diskursive ndaj të varfrit.
“Në vendin tim e në vendin tënd, e shpojnë lakrën, i hedhin mënd”
Kështu duket sot qeverisja, më saktë mendësia e realitetit qeveritar. Improvizim dhe eksperiment mbi kurrizin e qytetarit, vendimmarrje pa përgjegjësi dhe pa ndërgjegje.
Këtu nuk kemi thjesht keqqeverisje. Kemi erozion moral të pushtetit, ku komunikimi i bastarduar institucional është degraduar në “gjeriz” politik, ku mendimi publik ushqehet me mbetje retorike, ku propaganda noton si fekale ekonomike dhe ku qytetari trajtohet si mbetje statistikore. Ky është mediokritet shtetëror i institucionalizuar, një pushtet pa vizion, që nuk ndërton shtet, por prodhon mashtrime e justifikime.

Kryeministri i vendit tim, nuk ka dështuar vetëm në menaxhim energjetik, por ka dështuar në besim dhe në respekt. Sepse kur pushteti tallet me varfërinë, kur qytetarin e mërdhirë e quan “se fantazon”, kur mbijetesën e quan “keqmenaxhim familjar”, atëherë kemi kaluar nga paaftësia në përbuzje, dhe nga përbuzja në degjenerim politik.
“Në vendin tim e në vendin tënd, një i çmendur një vend e çmend”
Ky fanar i realitetit të sotëm, është përshkrim i një sistemi ku mbisundon irracionaliteti dhe mungon përgjegjësia, ku mediokriteti vishet me petkun e qeverisjes.
Me këtë qasje ju vetëm sa prodhoni mosbesim dhe urrejtje. Ju nuk prodhoni drejtësi, siguri dhe dashuri për shtetin, prodhoni padrejtësi, pasiguri, ankth dhe arsyetime bajate e qesharake. Dhe kulmi i cinizmit politik: të prodhosh krizë, ta mohosh atë dhe pastaj ta fajësosh viktimën
“se ka qejf nxehtë, se po i ngroh dhomat më shumë se normalja…”
Qytetari sot nuk po jeton më keq sepse konsumon më shumë.
Ai jeton më keq sepse po qeveriset më keq. Jo rastësisht, jo nga padituria. Por keq me paramendim, keq me metodën e mashtrimit, të poshtërsisë dhe përçmimit.
Ky mashtrim dhe kjo tallje është amoral i politikës publike dhe erozion i thellë i besimit qytetar, një toksinë që ngulfat shtetin, prodhon apati, zemërim dhe shkatërron vetë idenë e qeverisjes.
Po përmbyll me vargjet e famshme, tejet të denja për qeverisjen aktuale:
“Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujarë t’ju pëtgjigjet: peqe, lepe!…”
P.S. Shkrimet në këtë rubrikë janë shprehje e mendimit të lirë dhe jodomosdoshmërisht pasqyrojnë qëndrimin e portalit.
