Përfaqësuesit e dy partive opozitare në Prizren, PDK-së dhe AAK-së e kanë vlerësuar me notë të ultë punën e Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, gjatë vitit të shkoi, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
KK ka mbajtur 12 mbledhje gjatë vitit të kaluar, dy prej të cilave të jashtëzakonshme (atë për çështjen e mosmbajtjes së festivalit tradicional “Zambaku i Prizrenit” dhe gjendjes në arsim, të dyja të thirrura pas kërkesës së opozitës). Organin më të lartë komunal prej një viti e drejton Vetëvendosje! me partnerët e saj LDK-në, Nismën dhe partitë e minoritetit boshnjak e turk.
Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Simir Krasniqi punën e KK-së e vlerëson si jo të mirë pasi vetëm deri diku ka arritur qëllimet dhe kërkesat e qytetarëve.
“KK pas një viti pune arriti të emërojë nënkryetarin për Komunitete, ndërsa me ligj përcaktohet se kjo duhet bërë 30 ditë pas paraqitjes se vendit të lirë dhe jo pas një viti. Po ashtu në komitetin për politikë dhe financa mungon një përfaqësues nga AAK, gjoja shkaku i plotësimit të kuotës gjinore, ku dihet mirë se ekzekutivi i Prizrenit nga 13 drejtori përfaqësohet vetëm me një femër”, tha për portalin “Gazetae Prizrenit ” ai.
Krasniqi tha se si grupi më i madh opozitar kanë kërkuar themelimin edhe të komiteteve tjera relevante për fushëveprimtarinë e Kuvendit të Komunës. Ndër to ai përmend komitetin për arsim, urbanizëm, shëndetësi, pastaj kulturë,rini dhe sport, për zhvillim ekonomik, dhe shërbime publike, por që nuk janë themeluar, ndërsa si komitete ndihmëse do ta bënin shumë më efikase punën e KK-së.
“Shpresojmë që viti 2019 të jetë më i suksesshëm për KK-në, ku pozita të merret me punë konkrete dhe me kërkesat e obligimet që kanë ndaj qytetarëve të komunës, dhe jo gjatë gjithë kohës të merret me qeverisjen e kaluar. Si parti më e madhe opozitare do të mbikëqyrim punën e kryetarit dhe ekzekutivit të komunës dhe për këtë do t’i përgjigjemi direkt qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.
Shefi i grupit të këshilltarëve të AAK-së në, Ilir Baldedaj, ndërkaq thotë se Asambleja komunale ka qenë e kontrolluar nga kryetari dhe se Prizreni asnjëherë nuk ka pasur Kuvend më të dobët.
“Kryetari i Komunës me korrespondencë ka raportuar në Kuvend, ndërsa gjatë vitit që shkoi janë mbajtur dy seanca të jashtëzakonshme, të cilat përkundër çështjeve të rëndësishme, në asnjërin rast, Haskuka nuk është përgjigjur për pjesëmarrje”, ka thënë ai. /GazetaePrizrenit.net/
P.S
Nesër në “GazetaePrizrenit.net” do të jetë shkrimi me vlerësimin e Kryesuesit të KK-së, Artan Abrashi, për punën e këtij organi.