Reagimin opozitar të nisur në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, duket se e kanë zbehur çerekun e parë të këtij viti dy subjektet opozitare në Prizren, PDK e AAK. Kjo lenë të kuptohet se po veprohet me pauza, ndërkohë që kryetari i komunës Mytaher Haskuka, më tepër ka telashe me përçarjet brenda koalicionit qeverisës se sa me opozitën, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Përfaqësuesit e opozitës, reagimet e tyre kryesisht individuale, gjatë kësaj kohe i kanë shfaqur në mbledhjet e Kuvendit të Komunës (KK), pa treguar ndonjë hap të përbashkët e konkret.
Kritikat drejtuar qeverisjes lokale të Haskukës, të cilin opozita e ka akuzuar për një varg dështimesh, përfshirë ngecjet në investime kapitale, tepricë të buxhetit, punësim të militantëve partiak me kontratë në vepër e të ngjashme, si dhe dy mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, janë karakteristikë e veprimit dhe bashkëpunimit të opozitës, për ta mbajtur të përgjegjshëm pushtetin lokal.
Sipas opinionistëve, skenën politike në Prizren vazhdon ta karakterizojnë dy gjëra, të cilat kanë të bëjnë me pritshmërinë qytetare. Në rastin e parë bëhet fjalë për një pritshmëri shumë më të madhe nga qeverisja e re, ndërsa në të dytin nga veprimet konkrete të munguara të opozitës, hiq ndonjë reagim gjatë mbledhjeve të KK-së. Një situatë e tillë, bën që sa fillon ta “djersitë” Haskukën, opozita i pauzon veprimet.
Në anën tjetër, duket se Haskuka nisi t’i injorojë mbledhjet e KK-së, duke mos qenë pjesë e tyre, veprim të cilin nuk ia ka falur opozita.
Përkundër që është në opozitë, PDK është partia më e madhe. Nga 41 ulëse sa ka KK, opozita ka 18 vende, apo vetëm 4 më pak se pozita. Këtë fillim vit, asamblisti i PDK-së Shukri Cuni ka kaluar në radhët e Nismës Socialdemokrate.
Në anën tjetër, gati po bëhet një vit, kur nuk u konkretizua as paralajmërimi i PDK-së për formimin e “qeverisë së mirë”, për ta monitoruar qeverisjen komunale, ndërsa një veprim i tillë nuk është i dukshëm.
Opozitarizmi i kohëpaskohshëm i PDK-së është edhe si rezultat i zhvillimit të brendshëm të procesit zgjedhor, që padyshim se reflektohet edhe në politikbërjen aktuale të subjektit më të madh në Prizren. Por, tashmë kanë mbetur edhe pak kuvende të nëndegëve për t’i hapur rrugë mbajtjes së Kuvendit të degës, prej të cilit del kryetari i ri i këtij subjekti.
Procesi i vetëpastrimit nga njerëz të përfolur për keqpërdorime, të përfshirë edhe në procese gjyqësore, zgjedhja sa më parë e kryetarit të ri të degës, si dhe angazhimi i njerëzve të rinj profesional e meritor janë pritjet e qytetarëve nga PDK.
Derisa kjo të ndodh, subjektit tjetër, AAK-së i bie më shumë barra për mbajtjen ‘gjallë’ të reagimit opozitar, për të mbajtur të përgjegjshëm qeverisjen lokale./GazetaePrizrenit.net/
P.S
Në editorialin paraprak kemi trajtuar funksionimin e koalicionit qeverisës në Prizren, të cilin e keni në këtë link:
A po mbahet “me zor” koalicioni qeverisës i Haskukës në Prizren?