Osmani: Shihemi së shpejti në garën zgjedhore
Vjosa Osmani, që tashmë u shkarkua nga pozita e nënkryetares së LDK-së dhe anëtares së Kryesisë me kërkesë të kryetarit Isa Mustafa, thotë se është shkarkuar sepse mbajti fjalën. Për ata që votuan pro shkarkimit të saj, shkruan Osmani, “shihemi në garën zgjedhore së shpejti”. Aty, thotë ajo, “do ta shohim se kush do të fitojë kur të dalim para qytetarëve”.
Osmani ka falënderuar 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik. Thotë se është diferencuar edhe për shkak se është grua.
“U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundërshtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar”, shkruan Osmani në Facebook.
Gjithashtu ka shkruar se është përjashtuar nga partia sepse thoshte se s’do të punonte kurrë me të korruptuarit, se kishte thënë që do t’i sjellin Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit.
“Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti; Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti; Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalën”, shkruan Osmani.
Osmani thotë se në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor.
“Unë e kam provuar në lëkurën time më shumë se njëherë. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba. E, unë nuk përtoj t’u rrekem këtyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën, edhe nëse kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër që sot votuan për përjashtimin e diferencimin tim. Por është një udhë që unë e kam ndjekur këto 20 vjet e ajo është udha që ta shtron besimi qytetarë dhe asaj nuk e kam ndërmend t’i ndahem kurrë. Në secilën betejë, do të jem me qytetarët, deri në fund”, përfundon Osmani.