OVL tregon nëse ka serbë që janë pjesë e listave të veteranëve të UÇK-së
Në mesin e veteranëve të UÇK-së që marrin pensionin për kontribut në luftën e fundit, po del të ketë edhe serbë.
Kjo së paku sipas Raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës që tregon për një numër prej 34 personash jo shqiptarë që marrin pensione, e shumica e tyre janë serbë.
Lajmi.net ka kontaktuar me kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, i cili është shprehur se në listat e kësaj organizate nuk figuron asnjë serb.
“Në listat tona nuk ka, por nesër do kërkoj ta marr edhe dokumentin. Tek ne ka romë dhe boshnjakë që e dimë që kanë qenë, por serb është hera e parë që dëgjova para pak minutash”, tha Gucati për lajmi.net
Ai gjithashtu është shprehur se bëhet fjalë për 1 për qind të veteranëve që janë jo-shqiptarë, 34 persona, nga 38 mijë sa janë gjithsej, por në listat e OVL-së nuk figuron asnjë serb.
“Mesa morra vesh bëhet fjalë për 1 për qind, por është hera e parë që dëgjova, ndërsa për boshnjak dhe rom po, për serb është hera e parë që dëgjova, nesër do të kërkoj dokumentin dhe në OVL në listat tona nuk figuron asnjë”, tha Gucati për lajmi.net.
Në statistikat e publikuara sot figurojnë edhe 30 burra dhe 4 gra që nuk janë nacionalitet shqiptar por që përfitojnë nga skema e pensioneve si veteranë të luftës. /Lajmi.net