21-11-2024

Paditësi kërkon kthimin e parave të deponuara në bankë në Suharekë

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren- dega në Suharekë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor të çështjes, në rastin ku paditësi Sylejman Basha po kërkon nga e paditura NLB Bank me seli në Suharekë kthimin e parave të deponuara.

Të pranishëm në seancë kanë qenë paidtësi Sylejman Basha dhe i autorizuari i tija avokati Sehad Haliti ndërsa për të paditurën Erina Gashi me autorizim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në procedurën e provave është marrë në pyetje paditësi Sylejman Basha, i cili në pyetjen e të autorizuarit të tij avokatit Sehad Haliti se “a keni depozituar mjete ndonjëherë në NLB Bank” i njëjti është përgjigjur se “kam deponuar 30 mijë euro më 5 nëntor 2008, i kam pas të afatizuara dhe të deponuara sipas kontratës prej 60 muaj me interes 6.9%, ku kontratën e kam lidhur me përfaqësuesit e bankës Burim Ademaj dhe Ilir Kryeziu” .

“Pas deponimit a keni tërhequr mjete”  ka qenë pyetja e të autorizuarit të paditësit Basha, derisa i njëjti është përgjigjur se “kam tërhequr 10,000 euro, pastaj kam deponuar përsëri edhe 2,000 euro dhe 4,000 euro”.

I autorizuari i paditësit avokati Sehad Haliti ka vazhduar marrjen në pyetje të paditësit se “mjetet në shumë prej 20,000 euro që i ke te e paditura, a ke kërkuar ti tërheq ato”, i njëjti është përgjigjur se “ kam kërkuar por e paditura nuk mi ka lëshuar, e njëjta më ka ofertuar ti pranoj vetëm 20,000 euro si mjete të deponuara dhe interesin 1,400 euro, me kusht që unë të mos kërkoj shumën prej 6,000 euro dhe interesin i cili më ka takuar”.

Ndryshe, sipas padisë të dorëzuar në gjykatë paditësi Sylejman Basha kishte deponuar në NLB Bank, filiali në Suharekë shumën prej 30,000 euro të afatizuara me afat maturimi prej 12 muajve dhe me normë fikse të interest vjetor 6.9%. Ndërkohë paditësi kishte tërhequr 10,000 euro, por më vonë i kishte deponuar edhe 2,000 dhe 4,000 euro, të cilat ia kishte dorëzuar punëtorit Ilir Kryeziut. Paditësi pas një kohe ka kërkuar që nga banka ti tërheq Shumen 26,000 euro mirëpo komisioni i bankës ia ka ofruar atij vetëm shumën prej 21,450 euro pasiqë 6,000 eurot e deponuara kohë më parë nuk figuronin në llogarinë e tij.

Andaj paditësi po kërkon nga po kjo gjykatë që e njëjta ta detyroj të paditurën NLB Bank filiali në Suharekë që shumën prej 6,000 euro dhe kamatën së bashku me shpenzime të ia paguaj të njëjtit. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.