23-11-2024

Pagat e 288 shërbyesve civilë në Prizren ekzekutohen me ndryshime

Autoritetet komunale të Prizrenit kanë njoftuar se procesi i harmonizimit të koeficientit të pagave të punëtorëve të administratës lokale është përmbyllur.

Sipas tyre, tashmë shërbyesit civilë të Komunës së Prizrenit i kanë realizuar pagat me rritje, bazuar në koeficientët adekuatë. Madje kanë theksuar se në këtë mënyrë është përmbushur njëri prej zotimeve të dhëna për këta punonjës, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Pas një pune dhe përpjekjeje disamujore, të gjithë punëtorët e administratës komunale nga ky muaj kanë realizuar pagat me rritje. Nga kjo ngritje e pagave kanë përfituar 288 punëtorë të Komunës së Prizrenit”, ka bërë të ditur drejtori i Administratës, Osman Hajdari. Ai ka vlerësuar angazhimin e secilit zyrtar për realizimin e këtij qëllimi. “Ky ishte një nga premtimet e para për punëtorët e administratës, të cilin e kemi realizuar”, është shprehur Hajdari.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se ky problem ka gjetur zgjidhje pas shumë vjetësh, gjë që në të kaluarën ka shkaktuar telashe për punonjësit e administratës lokale.

Asnjë koment

Comments are closed.