27-11-2024

Pagesat nga pakoja emergjente pritet të kryhen në javën e ardhshme

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se pas dekretimit të Ligjit për buxhetin, ekzekutimi i pagesave nga pakoja emergjente pritet të bëhet në javën e dytë të gushtit.

Ai ka thënë se sot ose nesër do të publikohet Ligji në gazetën zyrtare, ndërsa implementimi i tij pritet të nisë nga e hëna e 10 gushtit. Në Ligjin për Buxhetin ishte përfshirë edhe pakoja emergjente, që nuk ishte implementuar plotësisht.

“Të gjitha këto besoj mund të realizohen në javën e ardhshme, pra obligimet që i kemi në raport me masat e pakos fillojnë dhe mund të realizohen brenda javës… Të gjitha obligimet fillojnë të implementohen prej të hënës dhe besoj deri në fund të javës pjesa më e madhe e obligimeve do të përfundoj. Dhe pastaj fillojmë me masat që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike që është një proces që do të fillojë për rimëkëmbje e do të përfundojë vitin e ardhshëm”, ka thënë Krasniqi për KP.

Sot gjatë ditës presidenti Hashim Thaçi ka dekretuar Ligjin për Buxhetin 2020, për të cilin ka shkruar se këtë dekretim të menjëhershëm e ka bërë që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët dhe të zbuten pasojat e pandemisë.

Pas dekretimit të Ligjit për Buxhetin, kryeministri Avdullah Hoti, kishte thënë se kanë nisur përgatitjen për pagesat për punëtorët e mbetur të papunë, qiratë e ndërmarrjeve dhe familjet pa të ardhura. Ai ka shkruar në Facebook se është duke u bërë plani për shpërndarjen e mjeteve edhe për masat e rimëkëmbjes ekonomike, “i cili plan do të miratohet në Qeveri së shpejti”.

Ndër masat kryesore në pakon emergjente ishin pagesat prej 170 euro për punëtorë të sektorit privat, ndihma në pagesën e qirave për bizneset dhe pagesa për personat që humbën vendet e punës në kohë pandemie.

Asnjë koment

Comments are closed.